Rreth 1270 punëtorë shëndetësor të cilët u angazhuan me kontrata të përkohshme si staf mbështetës gjatë pandemisë, do të përmbyllin punën e tyre deri më 15 qershor.
Kjo pasi Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të mos ua vazhdojë kontratat tutje, shkruan Gazeta Shneta.
Kështu i ka njoftuar divizioni për burime njerëzore i MSH-së, punëtorët shëndetësor që kanë qenë me kontrata deri më 2 qershor.
“Lidhur me kontratat e stafit të angazhuar nga MSH, ju njoftojmë se data e skadimit të kontratës konsiderohet si përfundim i punës. Në të ardhmen nëse do të ketë ndonjë informatë tjetër do të informoheni”, thuhet në një email të siguruar nga Gazeta Shneta.
Gazeta ka mësuar se deri më 7 qershor do të përmbyllin kontratat mbi 800 punëtorë mbështetës, ndërsa pjesa tjetër deri më 15 qershor.
Stafi mbështetës kanë mbajtur edhe protesta ku kanë kërkuar që kontratat e tyre të vazhdohen, ndërsa edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar përmes një letre ia ka bërë me dije MSH-së se ka nevojë për staf mjekësor. /Gazeta Shneta/