Ministria e Shëndetësisë nuk po i furnizon me proteza personat që kanë humbur gjymtyrët gjatë periudhës së luftës dhe të tjerët më vonë. Zv.ministri Rrustem Musa ka deklaruar se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për këtë kategori
Janë mbi 2,500 pacientë në vit që kërkojnë të marrin shërbime në këtë klinikë, të cilëve u mungojnë gjymtyrë, e që kryesisht janë invalidë të luftës.
Shumë nga ta, pas luftës kanë shkelur në mina, disa gjymtyrët i kanë humbur gjatë luftës, e të tjerë në aksidente komunikacioni apo edhe probleme shëndetësore.
“Për momentin jemi pa material dhe jemi në pritje. Ndihma me proteza të gjymtyrëve të poshtme kemi vendosur shumë, por kohët e fundit kemi mungesë materiali. Pacientët kanë shumë nevojë për këtë shërbim”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lulzim Geci, drejtor i shërbimit klinik të ortoprotetikës
Geci thotë se protezat për të cilët pacientët kanë nevojë janë të shtrenjta.
“Materiali është i shtrenjtë. Një protezë nën gju është rreth 1,500 euro derisa mbi gju mbi 2,000 euro. Të gjitha i ka mbuluar Ministria e Shëndetësisë, pacientët i marrin pa pagesë atëherë kur ka”, thotë Geci.
Zëvendësministri i Shëndetësisë Rrustem Musa i tha Radios Evropa e Lirë se ka dy vjet që këtë klinikë nuk kanë pasur mundësi ta furnizojnë, për shkak se është anuluar tenderi për furnizim.
“Ne kemi qenë të angazhuar, por problem janë mjetet financiare pasi janë kosto e lartë. Buxheti i ndarë për mallra dhe shërbime nuk i mbulon gjitha kërkesat e pacientëve. Këtë vit do të bëjmë rishkimin e buxhetit që vitin e ardhshëm të hyjnë më shumë të holla për këtë kategori të pacientëve, që bëjnë amputime të ekstremiteteve dhe kanë nevojë për proteza”, thotë Musa.