Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Muaji i ndërgjegjësimit për Celiakinë: Rëndësia e diagnostikimit të hershëm te fëmijët

Lajme 15/05/2026
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Muaji maj njihet ndërkombëtarisht si “Muaji i Ndërgjegjësimit për Sëmundjen Celiake”. Celiakia është një sëmundje autoimune që dëmton zorrën e hollë pas konsumimit të glutenit dhe mund të shfaqet me simptoma të ndryshme te fëmijët, si dhimbje barku, fryrje, lodhje, humbje në peshë dhe vonesë në rritje e zhvillim. Ndërgjegjësimi për këtë sëmundje është shumë i rëndësishëm, pasi shumë raste mbeten të padiagnostikuara për vite me radhë. Në një editorial të shkruar me përkushtim dhe profesionalizëm, dy specialiste të njohura të pediatrisë nga QKUK kanë folur për gjendjen e celiakisë në Kosovë dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.

Shkruajnë:

Dr. Minire Çitaku – Specialiste e Pediatrisë, Klinika e Pediatrisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Dr. Atifete Ramosaj – Morina, Specialiste e Pediatrisë, Klinika e Pediatrisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Në praktikën e përditshme pediatrike, dhimbja abdominale mbetet një nga ankesat më të shpeshta tek fëmijët. Në shumicën e rasteve ajo konsiderohet beninje, funksionale ose kalimtare. Por çfarë ndodh kur pas një ankese kaq të zakonshme fshihet një sëmundje kronike autoimune si sëmundja e celiakisë?

Të dhënat nga një studim retrospektiv i realizuar në Kosovë gjatë viteve 2022–2024 hedhin dritë mbi këtë sfidë diagnostike. Këto gjetje janë prezantuar edhe në një forum ndërkombëtar të rëndësishëm në fushën e gastroenterologjisë pediatrike, në Kongresin Vjetor të Shoqatës Evropiane të Gastroenterologjisë, Hepatologjisë dhe Nutricionit Pediatrik (ESPGHAN 2025) në Helsinki, duke reflektuar rëndësinë dhe aktualitetin e këtij problemi edhe në nivel evropian.

Në këtë studim u përfshinë 30 fëmijë të diagnostikuar me sëmundje të celiakisë, me dominim të gjinisë femërore (67%). Ajo që tërheq vëmendjen nuk është vetëm shpërndarja gjinore, por edhe mënyra e prezantimit klinik të sëmundjes. Ndryshe nga pritshmëritë klasike, vetëm një pjesë e vogël e pacientëve paraqiteshin me simptoma tipike si diarrea apo humbja në peshë.

Në vend të kësaj, simptoma më e shpeshtë ishte dhimbja abdominale, e pranishme në 57.1% të rasteve. Kjo e bën celiakinë një diagnozë që shpesh “fshihet” pas simptomave të zakonshme të praktikës pediatrike. Diarrea, humbja në peshë dhe anoreksia u raportuan secila vetëm në 9.5% të pacientëve, ndërsa distensioni abdominal dhe ngecja në rritje u evidentuan në 4.8% të rasteve. Kjo shpërndarje e simptomave tregon qartë se sëmundja e celiakisë tek fëmijët në Kosovë shpesh paraqitet në forma jo-klasike dhe lehtësisht të nënvlerësuara në praktikën klinike.

Një nga gjetjet më domethënëse të studimit ishte vonesa në diagnostikim. Koha mediane nga fillimi i simptomave deri në vendosjen e diagnozës ishte 12 muaj. Kjo nënkupton se një fëmijë me celiaki mund të kalojë mesatarisht një vit me simptoma para se sëmundja të identifikohet, ndërkohë që dëmtimi intestinal vazhdon në mënyrë të heshtur.

Analiza e mëtejshme tregoi se kjo vonesë ndryshonte sipas prezantimit klinik. Fëmijët me forma klasike diagnostikoheshin më herët, ndërsa ata me forma jo-klasike përballeshin me vonesa më të gjata diagnostike. Sa më atipik prezantimi klinik, aq më i ulët mbetet dyshimi klinik dhe rrjedhimisht edhe diagnoza vendoset më vonë.

Në kontekstin e Kosovës, këto gjetje marrin një rëndësi të veçantë. Dieta tradicionale e pasur me gluten mund të kontribuojë në normalizimin e simptomave gastrointestinale në perceptimin e përditshëm. Në të njëjtën kohë, mungesa e protokolleve të strukturuara të skriningut dhe njohuritë ende të kufizuara mbi format jo-klasike të sëmundjes ndikojnë në vonesën diagnostike. Diferencat në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore ndërmjet zonave urbane dhe rurale mund ta thellojnë më tej këtë problem.

Megjithatë, prezantimi i këtyre të dhënave në një kongres të nivelit të lartë si “ESPGHAN” dhe në revista ndërkombëtare të gastroenterologjisë pediatrike theksojnë se kjo sfidë nuk është vetëm lokale, por pjesë e një problematike më të gjerë në pediatrinë moderne.

Mesazhi kryesor për praktikën klinike është i qartë: celiakia nuk duhet të dyshohet vetëm në prani të simptomave klasike. Përkundrazi, ajo duhet të merret në konsideratë edhe në rastet me simptoma të paqarta, të zgjatura dhe të pashpjegueshme.

Në këtë kontekst, pyetja thelbësore nuk është nëse dimë ta diagnostikojmë celiakinë, por nëse e mendojmë atë në kohën e duhur.

Muaji maj, si muaj global i ndërgjegjësimit për celiakinë, ofron një mundësi të rëndësishme për të rikujtuar se diagnostikimi i hershëm nuk varet vetëm nga testet laboratorike, por mbi të gjitha nga njohja e hershme e spektrit klinik dhe mbajtja e një niveli të lartë të dyshimit klinik. Rritja e ndërgjegjësimit në mesin e profesionistëve shëndetësorë dhe publikut të gjerë mbetet thelbësore për reduktimin e vonesave diagnostike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve të prekur.

Editorialet nuk synojnë të japin përgjigje përfundimtare, por të nxisin reflektim. Dhe reflektimi që del nga këto të dhëna është i qartë: celiakia mbetet e nën-diagnostikuar jo për shkak të mungesës së mjeteve diagnostike, por për shkak të mungesës së dyshimit klinik në momentin e duhur.

Nëse synojmë të reduktojmë vonesat diagnostike dhe të përmirësojmë rezultatet afatgjata për pacientët pediatrikë, duhet të rrisim vigjilencën klinike. Sepse në praktikën e përditshme, diagnozat më të rëndësishme shpesh fshihen pas simptomave më të zakonshme.

 

Artikulli paraprakSHSKUK i shpallë rezultatet për drejtor të QKUK-së, dhe spitaleve në Vushtrri dhe Ferizaj
Artikulli i rradhës Ushtrimet më efektive për uljen e tensionit të lartë të gjakut

Ju sugjerojmë

OBSh: Evropa mbetet prapa në rregullimin e inteligjencës artificiale në spitale

20/07/2026 Lajme

Mediat në RMV: Mungesa e shenjave në autostradën e papërfunduar Shkup-Bllacë, fatale për tre kosovarët

20/07/2026 Lajme

AUV apel fermerëve të derrave: Rritni masat e biosigurisë për shkak të rrezikut nga Mortaja Afrikane e Derrave

20/07/2026 Lajme

Aksident i rëndë në Istog: Vdesin dy persona, tre të lënduar

20/07/2026 Lajme

13-vjeçari humb jetën gjatë festimeve të titullit botëror të Spanjës

20/07/2026 Lajme

Kanadaja ndalon përkohësisht hyrjen e udhëtarëve nga Kongo, pavarësisht kundërshtimit të OBSH-së

20/07/2026 Lajme
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.