Në spitalin e ri të fëmijëve “Sheikha Fatima” në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës Ministria e Shëndetësisë nuk ka planifikuar me kohë staf teknik për laboratorin e spitalit. Si pasojë e kësaj pacientët gjatë vikendeve dhe kujdestarisë janë të detyruar të marrin shërbime laboratorike në Laboratorin e vjetër të Klinikës Pediatrike.
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenje Sociale, njëherish deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka postuar një video në Facebook përderisa vlerëson se janë duke vazhduar keqmenaxhimet nga ana e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
“Vazhdon keqmenaxhimi në SHSKUK. Spitali i ri fëmijëve pa laborator dhe ende jo funksional me të gjitha kapacitetet e tij”, ka shkruar ai në Facebook.
“Mbi 22 milionë euro investime në Spitalin e Fëmijëve, ndërsa analizat bëhen në laboratorin e vjetër me kushte jo të përshtatshme. Pse nuk është laboratori pjesë e Spitalit të Fëmijëve kur ka qenë pjesë e planifikuar e investimeve 22 milionë euro, dhe ka qenë e planifikuar paisja me aparaturë të re moderne për laborator. Nga 4 salla të operacionit vetëm dy janë funksionale dhe me probleme organizative dhe menaxheriale”, është shprehur tutje ai.
Mungesa e stafit teknik të laboratorit në spitalin e ri ka mbingarkuar stafin teknik të laboratorit nga njësit varëse pasi që ata janë të deturuar që paradite të ofrojnë shërbimin e analizave edhe në këtë spital.
Spitali i ri Pediatrik Kirurgjik është donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe në vlerë rreth 22 milionë Euro. /Gazeta Shneta/