Qendra Klinike Universitare e Kosovës vazhdon të përballet me mungesa elementare për mjekimin intensiv. Pacientët në koma vazhdojnë të përballen me mungesë të shtretërve.
Dr. Islam Krasniqi, Ushtrues Detyre i Drejtorit të Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, thotë për Gazeta Shneta se nevojat e kësaj klinike vazhdojnë të mos përmbushen për stafin dhe pacientët.
Ministria e Shëndetësisë dhe organizata turke TIKA, kanë nënshkruar një marrëveshje për renovimin dhe furnizimin me pajisje të kujdesit intensiv. Islami bënë të ditur se marrëveshja parasheh që punët të përfundojnë në fund të muajit qershor.
Por sipas tij, kjo marrëveshje nuk do t’i zgjidh të gjitha problemet e kësaj klinike.
“Përfundimi i punimeve dhe fillimi i punës në shërbimin e ri do të lehtësojë punën për stafin dhe për pacientët në politraumë dhe të tjerët që kanë nevojë për mjekim intensiv, por nuk do të zgjidh përfundimisht çështjen meqë nevojitet që të ketë shtim resurseve profesionale me anesteziologë dhe staf të mesëm për mjekimin intensive në klinikat tjera, poashtu edhe pajisjet mjekësore dhe medikamente tjera përcjellëse”, ka deklaruar Islami.
Ai shton se punët janë duke vazhduar, megjithatë anesteziologët kanë bërë disa vërejtje teknike që shpresojnë se do të merren parasysh.
E në Ministrinë e Shëndetësisë nuk janë fare të njoftuar për implementimin e marrëveshjes.
Zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti, në përgjigjen e tij rekomandon që të vizitohet klinika për të parë nëse punët janë duke u kryer, pasi vet nuk është në dijeni fare për këtë gjë. /Gazeta Shneta/