Gjatë përvojës time si mjeke e përgjithshme, kam pasur rastin që në ordinancën time të kërkojnë ndihmë gra të moshave të ndryshme me ankesa për dhimbje në gjymtyrë, hematoma apo edhe tentativa për vetëvrasje!
Shkruan: Dr. Meritë Rrahmani
Në fillim ato deklaronin se janë rrëzuar ose janë lënduar aksidentalisht, duke u përpjekur të fshehin të vërtetën e hidhur!
Por a mjafton deklarata e një pacienti për të vendosur diagnozën përfundimtare?
JO!
Ne jemi mjekë, përveç deklaratës së pacientit, jemi ne ata që duhet të hetojmë duke ekzaminuar në detaje pacientin: Vendndodhja e dëmtimit, forma e dëmtimit, vjetërsia e hematomës, struktura e dëmtuar dhe mbi të gjitha gjendja psikologjike e pacientit ku përfshijnë: Frikë, ankth, depresion të përgjithshëm dhe mendime vetëvrasëse.
Ne jemi ata që në zyrën tonë duhet të krijojmë një mjedis të sigurt, të qetë dhe të përshtatshëm për tu rrëfyer një pacient.
Ne jemi ata që duhet të “dëgjojmë” fjalët që pacientët nuk i thonë dot.
Ne jemi ata që duhet ta thyejmë zinxhirin e dhunës duke punuar psiqikisht dhe duke dhënë ndihmë emocionale, fizike dhe shpirtërore!
Dua të ndaj një nga rastet që ka kërkuar ndihmë në ordinancën time:
Pacientja e shoqëruar nga një vajzë e vogël raporton se është në gjendje të keqe psikologjike dhe fizike, ka dhimbje të mëdha në pjesën e mesit (zonën lumbale) dhe qan vazhdimisht.
E pranova në zyre dhe i kërkova të ulet, por zonja në fjalë refuzon sepse thotë se dhimbja është shumë e madhe dhe i duhet nje injeksion!
E pyes se si ka ardhur deri tek dhimbja; Zonja e përmbledh me një fjalë duke thënë se ka rënë nga shkallët dhe shpesh ka dhimbje në unaza!
Mundohem ta qetësoj zonjën dhe i kërkoj që të zhvishet ngadalë për të ekzaminuar gjendjen fizike. Ndonëse në fillim hezitoi, mori forcën dhe kërkoi ndihmën time për ta ndihmuar të zhvishej!
Në ekzaminim u vu re: Në zonën e duarve kishte hematoma në formë gishtash, në zonën e shpinës skuqje në vende të ndryshme, ndërsa dhimbjet në zonën lumbale (unaza) nuk e lejonin që të drejtojë posturen e trupit. Gjendja e saj psikologjike ishte e rëndë pavarsisht se mundohej ta mbante vetën!
I afrohem ngadalë dhe i them që nëse do që të ndihmoj duhet të jesh e sinqertë sepse rrëzimi nga shkallët nuk na jep këto simptoma specifike, duke iu referuar hematomave të gishtave në duart e pacientes!
Zonja vazhdon me lot në sy: “Ti e kuptove shumë mirë se çfarë kam, por kjo zemër e shkretë do që të largohem nga këtu e të kthehem në shtëpi tek femijët”.
Tashmë sa kohë po ushtron dhunë burri, mundohem ta vazhdoj biseden?
Pas një heshtje të gjatë, zonja ofshanë në lot:
Gjithmonë, mirpo mbrëmë më goditi shumë fort në shpinë dhe më mori frymën!
Biseda jonë vazhdon duke u munduar ta qetësojë zonjën dhe ndër të tjera theksoj që rastin e dhunës duhet si staf shëndetësor ta denoncojmë në polici.
Ajo kthehet me sy të pashpresë: Nuk kam ku të shkoj, vitin e kaluar ma ka thyer dorën, gjatë gjithë kohës jam në dhunë, por këtë herë dhimbja nuk po pushon (dhe prek ngadal shpinen duke dhëne edhe një ofshamë)
Biseda jonë vazhdon ende, duke u përpjekur ta bindë se në zyrën time ajo mund të ndihet e sigurt dhe mund të flas lirshëm!
Në bashkëpunim me infermieren i japim ndihmën e parë për dhimbje, e informojmë policinë dhe bashkë me organet e rendit e dërgojmë zonjën në QKUK për ekzaminime radiologjike dhe laboratorike!
Imagjinoni sikur t’i kisha dhënë një injeksion dhe ta kisha liruar për të shkuar te dhunuesi i saj! Dje një krah i thyer, sot një kurriz i thyer dhe nesër një plumb në ballë!
Ju bëj apel kolegëve të mi që t’i marrin seriozisht ankesat e pacientëve, t’i ekzaminojnë fizikisht dhe të punojnë psikologjikisht me ta!
Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë kërkoj që të mbajë trajnime dhe sesione informuese lidhur me të drejtat dhe përgjegjësitë e mjekut kur ai përballet me një pacient të dhunuar apo tenton të vetëvritet. Informacioni i saktë ndërgjegjëson dhe rrit vigjilencën në identifikimin e rasteve dhe shpëtimin e jetëve nga dhunuesit.
Dr.Meritë
(imazhe të huazuara nga interneti)