Ka ndërruar jetë dr. Vlora Ukimeri, mjeke specialiste neonatologe nga spitali i Prizrenit.
Sipas njoftimit nga spitali i Prizrenit, dr. Ukimeri ka qenë një figurë e shquar në fushën e neonatologjisë dhe ka kontribuar me përkushtim në shërbimin e pacientëve, me fokus të veçantë në foshnjat e porsalindura, përcjell Gazeta Shneta.
Pasi përfundoi specializimin në neonatologji, Dr. Ukimeri filloi punën në Repartin e Neonatologjisë në Spitalin “Prim. Dr. Daut Mustafa”, ku e shërbeu komunitetin deri në momentet e fundit të jetës së saj. Ajo ishte e njohur për afërsinë, dashamirësinë dhe përkushtimin në punë.
Menaxhmenti dhe të gjithë punonjësit e spitalit shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe miqtë e dr. Vlora Ukimerit. Kujtimi për punën, kontributin dhe shembëlltyrën e saj do të mbetet i përhershëm në zemrat e të gjithë atyre që e kanë njohur dhe ndjerë ndikimin e saj në jetët e tyre./ Gazeta Shneta/




