Një studim i ri tregon se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit që gjatë shtatzënisë dhe viteve të para të jetës mund të rrisë rrezikun e presionit të lartë të gjakut tek fëmijët. Sipas studiuesve, fëmijët e ekspozuar ndaj smogut para dhe pas lindjes kanë më shumë gjasa të shfaqin vlera më të larta të tensionit të gjakut në moshën 5 deri në 12 vjeç.
Studimi, i publikuar në numrin e marsit 2026 të revistës shkencore “Environmental Research”, e lidhë në mënyrë të veçantë presionin e gjakut tek fëmijët me ndotjen nga grimcat e imta në ajër. Këto grimca, edhe në nivele relativisht të ulëta, mund të kenë ndikim negativ në shëndetin kardiometabolik të fëmijëve, shkruan Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Sipas autores kryesore të studimit, Yu Ni, profesoreshë e epidemiologjisë dhe biostatistikës në Universitetin Shtetëror të San Diegos, provat shkencore po shtohen se ekspozimi i hershëm ndaj ndotjes së ajrit mund të ketë pasoja afatgjata për shëndetin.
Presioni i lartë i gjakut tek fëmijët është rritur me rreth 80% gjatë dy dekadave të fundit dhe mund të çojë në probleme serioze shëndetësore, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe dëmtimin e funksionit të veshkave.
Në studim u analizuan të dhënat e më shumë se 4,800 fëmijëve, duke krahasuar gjendjen e tyre shëndetësore me nivelet e ndotjes së ajrit gjatë shtatzënisë dhe dy viteve të para të jetës.
Rezultatet treguan se ekspozimi gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë kishte ndikimin më të madh, duke u shoqëruar me rritje të presionit sistolik të gjakut.
Studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë këto efekte dhe rolin e faktorëve të tjerë mjedisorë, si zhurma nga trafiku. /Gazeta Shneta/


