Një studim i ri tregon se ekspozimi ndaj ajrit të ndotur për një kohë të gjatë mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e formimit të mpiksjeve të rrezikshme të gjakut.
“Çfarë bie në sy nga studimi ynë është lidhja midis ndotësve më të zakonshëm të ajrit dhe rritjes së sëmundjeve serioze të mpiksjes së gjakut,” tha Pamela Lutsey, autorja kryesore e studimit dhe profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin e Minnesotës, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Studimi analizoi të dhënat shëndetësore të mbi 6,600 individëve nga komunitete të ndryshme në SHBA, të ndjekur për 17 vjet. Po ashtu, u mblodhën të dhëna për ekspozimin e përditshëm ndaj katër ndotësve kryesorë: grimcave të imta, dioksidit të azotit, oksideve të azotit dhe ozonit.
Rezultatet kryesore:
– Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj grimcave të imta ishte i lidhur me një rritje prej 43% të rrezikut për mpiksje gjaku. Këto grimca shpesh prodhohen nga zjarret e pyjeve dhe ngjarje të tjera ndotëse.
– Ekspozimi i lartë ndaj dioksidit të azotit pothuajse trefishoi rrezikun për mpiksje gjaku, ndërsa oksidet e azotit e rritën këtë rrezik 2.3 herë.
– Ozonit nuk iu gjet asnjë lidhje me rrezikun e trombozës.
Mpiksjet e gjakut lidhen me goditjet në tru dhe tromboembolizmin venoz (VTE), duke përfshirë trombozën e venave të thella (DVT) dhe embolitë pulmonare, që janë mpiksje që udhëtojnë deri në mushkëri.
Këto gjetje theksojnë nevojën për forcimin e rregulloreve të cilësisë së ajrit në SHBA, tha Lutsey.
Studimi u publikua më 12 dhjetor në revistën “Blood”. /Gazeta Shneta/


