Një studim i ri tregon se ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në furnizimin me gjak dhe kërkesën për transfuzion, duke përfshirë ndikimin e sëmundjeve të transmetueshme dhe motit ekstrem.
Studiuesit nga Red Cross Lifeblood dhe Universiteti i Sunshine Coast në Australi paralajmërojnë se këto faktorë mund të prishin modelet aktuale të dhurimit dhe shpërndarjes së gjakut, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Dr. Elvina Viennet, një nga autorët e studimit, shpjegon se ngjarjet klimatike jo vetëm që kufizojnë lëvizshmërinë e donatorëve, por gjithashtu ndërpresin ruajtjen, sigurinë dhe transportin e gjakut, i cili ka jetëgjatësi të shkurtër.
Në Europë, çdo vit përdoren rreth 25 milionë njësi gjaku për pacientët që i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, foshnjat e lindura para kohe, viktimat e aksidenteve dhe ata me sëmundje kronike.
Studiuesit paralajmërojnë se temperaturat më të larta dhe reshjet e paparashikueshme mund të favorizojnë përhapjen e sëmundjeve të transmetuara nga gjaku, si ethet dengue, virusi i Nilit Perëndimor dhe malaria, duke ulur grupin e donatorëve të mundshëm.
Përveç kësaj, moti ekstrem mund të ndikojë në hemoglobinë, numrin e qelizave të kuqe të gjakut dhe tensionin e gjakut, duke vështirësuar më tej furnizimin.
Studimi, i botuar në revistën “The Lancet Planetary Health”, thekson nevojën për plane të përmirësuara menaxhimi për furnizimin me gjak dhe adaptim ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike, për të garantuar që transfuzionet jetësore të mbeten të disponueshme për ata që kanë nevojë. /Gazeta Shneta/


