Prematuriteti vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë Dr. Luan Morina, ka bërë të ditur se nga muaji janar deri në muajin prill janë regjistruar 86 lindje premature nga gjithsej 544 foshnje të lindura, shkruan Gazeta Shneta.
“Prematuritetin e quajmë një lindje që kryhet prej javës së 22 deri në javën e 36”, ka deklaruar ai.
“Nga 86 foshnje të lindura para kohe, 10 prej tyre kanë lindur nga java e 22 deri në javën e 28 të shtatzënisë. Prej javës 29 deri në javën e 33 i kemi 17 foshnje, ndërsa prej javës 34 deri në javën 36 i kemi 59 foshnje”, tha ai.
Ai theksoi se mbijetesa dhe prognoza e foshnjave premature varen nga pjekuria e tyre.
“Prematuriteti si fenomen mbetet një ndër sfidat kryesore të neonatologjisë, por gjithashtu edhe të kolegëve nga gjinekologjia, sepse është një situatë që ndërlidhet me jetën prenatale dhe faktorët që ndikojnë te nëna gjatë shtatzënisë”, deklaroi Dr. Morina/Gazeta Shneta/



