Një studim i ri ka treguar se një grup ilaçesh që përdoren për parandalimin e migrenës mund të ofrojnë edhe një përfitim shtesë: uljen e rrezikut për zhvillimin e glaukomës, një sëmundje serioze e syrit që mund të çojë në humbje të shikimit.
Hulumtimi është publikuar në revistën shkencore “Neurology” dhe është udhëhequr nga studiues të Universitetit “Brown” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas rezultateve, personat që përdorin ilaçe të grupit CGRP (peptidi i lidhur me gjenin e kalcitoninës) kishin rreth 25 për qind më pak rrezik për të zhvilluar glaukomë, krahasuar me ata që përdornin terapi të tjera për migrenë.
Glaukoma është një sëmundje e syrit që shkaktohet nga rritja e presionit të lëngut brenda syrit, duke dëmtuar nervin optik dhe duke çuar në humbje graduale të shikimit.
Sipas studimit, këto ilaçe ndihmojnë në parandalimin e migrenës duke ulur nivelin e proteinës CGRP, e cila ndikon në zgjerimin e enëve të gjakut dhe në sinjalet e dhimbjes në tru.
Studiuesi kryesor, mjeku Chien-Hsiang Weng, tha se ekziston një lidhje biologjike mes migrenës dhe glaukomës, pasi të dyja lidhen me mënyrën se si enët e gjakut reagojnë ndaj ndryshimeve në trup.
“Glaukoma është një nga shkaqet kryesore të verbërisë dhe është vënë re se pacientët me migrenë kanë rrezik më të lartë për këtë sëmundje”, ka deklaruar Weng.
Në studim janë analizuar mbi 36 mijë pacientë që përdornin ilaçe për migrenë gjatë periudhës 2018–2024.
Rezultatet treguan se vetëm disa ilaçe specifike të grupit CGRP, të njohura si antitrupa monoklonalë, si erenumab, fremanezumab, galcanezumab dhe eptinezumab, ishin të lidhura me uljen e rrezikut për glaukomë.
Tek pacientët që përdornin këto terapi, rreziku për glaukomë ishte rreth 23 për qind më i ulët krahasuar me përdoruesit e barnave të tjera për migrenë./Gazeta Shneta/


