Targetimi i fëmijëve për të krijuar grupin e duhanpirësve të së ardhmes ka qenë prej dekadash një strategji e industrisë së duhanit në mbarë botën. Një nga mënyrat më efektive për ta arritur më shpejt këtë qëllim, ka qenë përmes shitjes së cigareve dhe produkteve të reja të nikotinës, si vape-at pranë shkollave. Në këtë mënyrë, fëmijët ekspozohen çdo ditë ndaj paketimeve shumëngjyrëshe dhe dizajneve tërheqëse që e bëjnë duhanin të duket i zakonshëm, i qasshëm për t’u blerë dhe shpeshherë i pranueshëm përmes etiketimeve si të qenurit “cool” dhe “trendi”. Kur ky imazh bëhet pjesë e përditshmërisë së tyre në ambientet shkollore, pirja e duhanit fillon të perceptohet si diçka e thjeshtë duke krijuar një kulturë të re të normalizimit të produkteve toksike.
Nën moton “Zbulimi i joshjes – Luftimi i varësisë nga nikotina dhe duhani”, të përzgjedhur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) për këtë vit, edhe Kosova iu bashkua vendeve anembanë botës që të premten e javës së kaluar, shënuan Ditën Botërore Pa Duhan.
Në vigjilje të një realiteti gjithnjë e më shqetësues për përhapjen e produkteve të reja të nikotinës tek të rinjtë, dhe mes rreziqeve në rritje të ciklit të varësisë përballë një reagimi të vakët institucional, në qendër të vëmendjes u vendosën vetë zërat e të rinjve. Përmes videove edukative dhe artit krijues, nxënësit e shkollave të mesme të ulëta sollën rrëfime të fuqishme mbi pasojat dhe gjurmët që duhani dhe nikotina lënë pas në shëndetin tonë.

Ekspertët e shëndetit publik në Kosovë vlerësojnë se një nga faktorët që po ndikon në rritjen e përdorimit të produkteve të nikotinës te të rinjtë është mënyra se si këto produkte promovohen dhe reklamohen.
Industria e duhanit përdor taktika reklamimi që synojnë të tërheqin përdorues të rinj, duke pretenduar se produktet e tyre minimizojnë dëmin dhe duke inkurajuar eksperimentimin me produkte të reja të duhanit. E, në disa raste, edhe etiketimi i sasisë së nikotinës dhe duhanit nuk është i saktë. Andaj, industria e duhanit shfrytëzon boshllëqet legjislative në mënyrë që të mund ta targetojë produktin e vet. Kështu ka thënë drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Ardita Baraku.
“Targetimi i të rinjve nga ana e industrisë së duhanit nuk është i rastësishëm. Ekzistojnë dokumente strategjike ku qartazi thuhet se vetëm 5 për qind e duhanpirësve fillojnë duhanpirjen pas moshës 25-vjeçare dhe se ne, si industri e duhanit, duhet t’i targetojmë të rinjtë. Kjo tregon se përfitimi financiar është interesi i tyre i vetëm dhe se ata nuk e konsiderojnë jetën dhe shëndetin e të rinjve”, thotë ajo.

Industria e duhanit i konsideron të rinjtë si grupin më të lehtë për t’u ndikuar, sepse nëse ata/o fillojnë të përdorin nikotinë në moshë të re, ka më shumë gjasa të zhvillojnë varësi afatgjate.
Isme Humolli, udhëheqëse e zyrës së OBSH-së për Prishtinën ka thënë se industria e duhanit gjen çdo herë mënyra të ndryshme dhe strategjike për të arritur deri tek të rinjtë për shkak se aty është caku më i lehtë mandej vazhdohet tutje, ku krijohet varshmëria e dëmshme.
Ndërkohë, rezultatet paraprake të publikuara nga Instituti, tregojnë se përdorimi i produkteve të duhanit tek të rinjtë ka pësuar ndryshime të dukshme gjatë dy dekadave të fundit, me një rritje të veçantë të evidentuar në matjen më të fundit të realizuar në vitin 2025.
OBSh-ja dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë zhvilluar Anketën Globale të Duhanit për të Rinj (GYTS), e cila realizohet në shkolla dhe përfshin kryesisht nxënës të moshës 13–15 vjeç. Kjo metodë hulumtuese shërben si një nga instrumentet kryesore për vlerësimin e përhapjes së përdorimit të duhanit dhe faktorëve që ndikojnë tek të rinjtë në nivel global.
Në Kosovë, kjo anketë është zhvilluar për herë të parë në vitin 2004, më pas në vitin 2016 dhe së fundi në vitin 2025.
Anketa e vitit 2025 përfshiu 1,573 nxënës të shkollave të mesme të ulëta nga vendi, të grupmoshës së rekomanduar nga OBSh-ja. Përmes saj, është synuar të mblidhen të dhënat për përdorimin e produkteve të duhanit dhe nikotinës, përfshirë cigaret tradicionale, produktet pa tym, cigaret elektronike, ekspozimin ndaj tymit të dorës së dytë, përpjekjet për ndërprerjen e përdorimit, qasjen dhe disponueshmërinë e produkteve, ndikimin e reklamimit, si dhe njohuritë dhe qëndrimet e të rinjve ndaj duhanit. Njëkohësisht, anketa mundëson krahasimin e treguesve ndërmjet viteve dhe identifikimin e trendeve në kohë.

Gjetjet paraprake të GYTS 2025 janë prezantuar nga Instituti në kuadër të Ditës Botërore Pa Duhan. Megjithatë, procesi i verifikimit dhe analizimit të të dhënave vazhdon ende dhe raporti përfundimtar pritet të publikohet në ditët në vazhdim.
Duke iu referuar rezultateve preliminare të hulumtimit, Merita Berisha, specialiste e mjekësisë sociale në IKShPK, vlerëson se industria e duhanit po i bën produktet e saja më të qasshme për të rinjtë.
“Kemi një rritje të përqindjes së nxënësve të cilët aktualisht përdorin produkte të duhanit të çfarëdollojshme, dhe po shihet se rritja më e madhe ka qenë nga viti 2016 deri në vitin 2025, për shkak se janë shfaqur edhe forma të reja të duhanit, të cilat industria e duhanit i përdor duke shfrytëzuar vakumet ligjore dhe duke i bërë produktet më të afërta dhe më të qasshme për të rinjtë.”
Rezultate tregojnë një rritje të ndjeshme të përdorimit aktual të produkteve të duhanit dhe nikotinës tek nxënësit.
Në vitin 2025, prevalenca arriti në 23.5%, krahasuar me 8.8% në vitin 2016, që nënkupton se pothuajse një në katër nxënës raporton përdorim aktual të ndonjë produkti duhani ose nikotine.
Rritja është vërejtur tek të dy gjinitë, por veçanërisht tek vajzat, duke ngushtuar dallimin tradicional ndërmjet djemve dhe vajzave. Sipas OBSh, ky trend lidhet dhe me ndikimin e mediave sociale, normalizimin e përdorimit të cigareve elektronike dhe perceptimin e gabuar se këto produkte janë më pak të dëmshme se cigaret tradicionale.
“Mirëpo, çka është brengosëse në këtë hulumtim të fundit është se diferenca gjinore mes vajzave dhe djemve tashmë ka filluar të ngushtohet, gjë që na bën të shqetësohemi, duke pasur parasysh se shëndeti i djemve dhe vajzave është i barasvlefshëm për të dy gjinitë. Por kur flasim për vajzat, flasim edhe për shëndetin e nënave të ardhshme, rrjedhimisht edhe për foshnjat dhe fëmijët”, thotë Berisha.

Të dhënat e anketës GYMS 2025 të realizuar në Kosovë, janë mbledhur përmes pyetësorëve anonimë që plotësohen nga vetë nxënësit. Anketa ofron një pasqyrë aktuale të situatës në kohën kur është kryer dhe tregon sa i përhapur është përdorimi i duhanit dhe produkteve të nikotinës te të rinjtë. Megjithatë, ajo nuk mund të përcaktojë me saktësi nëse një faktor i caktuar është shkaku i drejtpërdrejtë i një sjelljeje apo rezultati të vërejtur.
Për këtë arsye, gjetjet e saj duhet të interpretohen si tregues të gjendjes aktuale, ndërsa vërtetimi i marrëdhënieve shkak-pasojë kërkon studime të kohortës ose dizajne të tjera që ndjekin pjesëmarrësit me kalimin e kohës/viteve.
OBSH thekson se shumica e përdoruesve të duhanit e fillojnë përdorimin gjatë adoleshencës dhe se nikotina krijon varësi veçanërisht shpejt tek të rinjtë. Sa më herët të fillojë përdorimi, aq më të mëdha janë gjasat që individi të vazhdojë ta përdorë duhanin edhe në moshë madhore.
Përdorimi i duhanit në adoleshencë konsiderohet një faktor i rëndësishëm rreziku për sëmundjet kardiovaskulare, kancerin e mushkërive, sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe varësinë afatgjatë nga nikotina.
Me rastin e Ditës Botërore Pa Duhan, Qendra për Avokim dhe Zhvillim në Kosovë (KADC) ka apeluar për veprime urgjente për të frenuar këtë dukuri.

Në një komunikatë të publikuar nga Aleanca për të Ardhmen Pa Duhan dhe Nikotinë, që vepron në kuadër të kësaj qendre, ngrihet alarmi për trendin në rritje të përdorimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës tek fëmijët dhe adoleshentët.
“Sipas të dhënave të GYTS 2025, 23.5% e nxënësve të moshës 13-15 vjeç përdorin aktualisht produkte duhani, ndërsa 11.2% pinë aktualisht cigare. Trendi tregon rritje alarmuese krahasuar me vitet paraprake, me ndikim të veçantë nga cigaret elektronike dhe produktet e reja të nikotinës”, thuhet në komunikatë.
Përfaqësuesit e saj, kërkojnë angazhim më të madh institucional për të frenuar përdorimin e produkteve të duhanit dhe nikotinës tek të rinjtë. /Gazeta Shneta/



