Në Kosovë ende s’ka asnjë rast të konfirmuar pozitiv me koronavirusin Covid-19, pasi deri më tani janë testuar 17 raste.
Vetëm gjatë ditës së djeshme në Klinikën Infektive në QKUK janë paraqitur 6 raste të cilat janë testuar në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, shkruan Gazeta Shneta.
“Me datë 26.02.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar 6 pacientë në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B dhe kanë rezultuar negative në të tri analizat, domethënë të gjashtë pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 dhe Influencë A dhe B”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Mes të testuarve ditën e djeshme ishte edhe një shtetas kinez dhe dy kosovarë që kishin ardhur nga Italia.
Instituti ka njoftuar se nga 8 shkurti deri dje janë testuar 17 mostra të dyshimta dhe të gjitha fatmirësisht kanë rezultuar negative. /Gazeta Shneta/