Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është ndaluar dezinfektimi me klor në hapësirat e klinikave ku trajtohen pacientët me Covid-19.
Gazeta Shneta ka mësuar nga burime brenda QKUK-së ku është bërë gati një muaj që nuk është duke u kryer dezinfektim në Klinikën Infektive, Klinikën e Pulmologjisë dhe klinikat tjera.
Në Klinikën Infektive janë të infektuar aktualisht me Covid-19 katër mjekë dhe 6 infemierë. Në Klinikën e Pulmologjisë poashtu janë të prekur 10 infermierë. Ndërkaq në Klinikën e Anestezionit kanë rezultuar pozitiv 11 anesteziologë dhe 10 infermierë.
Me Covid-19 është infektuar edhe vet kreu i SHSKUK-së Valbon Krasniqi. Ai ka njoftuar dje se ka rezultuar pozitiv.
Por institucioni që e udhëheq Krasniqi, nuk ka dhënë sqarime për Gazetën se çfarë është duke ndodhur me dezinfektimin e klinikave. QKUK nuk ka kthyer përgjigje për të sqaruar pse është ndalur dezinfektimi me klor, dhe nëse është gjetur ndonjë zgjidhje tjetër.
Mos dezinfektimi i hapësirave në spitale është në kundërshtim me Manualin e Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. /Gazeta Shneta/