Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar janë punësuar dhjetëra menaxherë e punëtorë të administratës jashtëligjshëm duke mos respektuar Udhëzimin Administrativ 07/2017.
Auditori i Brendshëm i SHSKUK-së ka bërë një raport për punësimet në këtë institucion ku ka testuar mostrën prej 86 lëndëve, 20 prej tyre në SHSKUK dhe 66 në QKUK. Në shumë prej pozitave të audituara janë evidentuar shkelje ligjore, shkruan Gazeta Shneta.
Auditori ka gjetur se nga 20 pozitat e testuara në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, për 12 pozita është bërë shpallja e konkursit të jashtëm pa u respektuar Udhëzimi Administrativ 07/2017, ndërsa tetë pozitat tjera janë zhvilluar procedura sipas konkursit të brendshëm.
Ndërkaq në QKUK nga 66 lëndë të testuara, 13 prej tyre janë zhvilluar me konkurs publik të jashtëm pa u respektuar UA 07/2017. Ky udhëzim përcakton që institucioni duhet fillimisht të shpallë konkurs të brendshëm nëse ka më shumë se një kandidatë të cilët i plotësojnë kushtet e kërkuara për plotësimin e vendit të lirë të punës.
Auditori ka gjetur se për 3 pozita në SHSKUK siç janë “Zyrtare përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personalë në SHSKUK”, “Zyrtar për bashkëpunim ndërkombëtar dhe koordinim të donacioneve të SHSKUK-së”, “Zyrtar i lartë i prokurimit” dhe një pozitë në QKUK për punëtor administrativ recepsionist, në dosje të personelit nuk janë gjetur fare kërkesat për inicimin e shpalljes së konkursit.
Ndërkaq sipas Auditorit, drejtori i Shërbimeve të Përbashkëta të QKUK-së Visar Islamaj, ka iniciuar kërkesën për shpallje të konkursit për 4 pozita të SHSKUK-së siç janë: Shef i sektorit për mbrojtje dhe siguri në punë të SHSKUK-së, Shef i sektorit të personelit, Shef i sektorit prokurimit në SHSKUK dhe Shef i Sektorit për kontraktimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Auditori ka evidentuar poashtu se SHSKUK dhe QKUK kanë lidhur 21 kontrata punë menaxhuese dhe 19 pozita jo menaxhuese bazuar në organogramin e SHSKUK-së, i cili ishte aprovuar nga Bordi Drejtues i udhëhequr atë kohë nga Naser Ramadani më 8 nëntor 2018. Ky organogram është shpallë i jashtëligjshëm nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi i njëjti nuk ishte aprovuar nga ish-ministri Uran Ismaili.
Auditori poashtu ka evidentuar pranimin dhe kapërcimin e Ilir Kurtit në tri pozita të ndryshme brenda një viti. Sipas Auditorit, Kurti fillimisht ishte pranuar më 11 shtator 2018 në pozitën zyrtar ligjor në QKUK/SHSKUK. Kjo pozitë ishte hapur jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me UA 07/2017. Por Kurti rreth 5 muaj më vonë më 28 shkurt 2019 ishte sistemuar në sektorin juridik të SHSKUK-së. Ndërsa në korrik të vitit 2019 i njëjti ishte caktuar ushtrues detyrë i Drejtorit të Drejtoratit për Administratë në SHSKUK, pozitë të cilën e mban ende.
Auditori ka gjetur poashtu se Selami Krasniqi ishte transferuar nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Juridik, në SHSKUK në pozitën e u.d. shefit të Sektorit të Prokurimit. Sipas Auditorit, ky transfer ishte bërë në përputhje me Ligjin për Shërbyesit Civil, por nuk ishte paraparë me Ligjin e Punës. Krasniqi më 30 korrik 2018 kishte lidhur kontratën me SHSKUK-në, procedurë kjo e cila ishte në kundërshtim me Ligjin e Punës, ndërsa më 30 nëntor të të njëjtit vit ishte shpallur konkursi ku Krasniqi ishte përzgjedhur në këtë pozitë nga komisioni.
Më poshtë është raporti ku janë përmendur të gjeturat e Auditorit për pozitat e jashtëligjshme në SHSKUK dhe QKUK. /Gazeta Shneta/