Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Dr. Basri Sejdiu, ka nënshkruar kontratat për 18 specialistë për Spitalet e Përgjithshme. Specialistët janë pranuar në punë në konkursin e fundit të shpallur nga SHSKUK.
Në këtë konkurs janë pranuar 4 specialistë për Spitalin e Prizrenit, 2 për Spitalin e Pejës, 1 në Gjakovë, 3 në Gjilan, 3 në Ferizaj, 3 në Mitrovicë dhe 2 në Spitalin e Vushtrrisë.
“Në prioritetet e menaxhmentit të SHSKUK-së, është përforcimi me kuadro mjekësore i Spitaleve të Përgjithshme në mënyrë që pacientët të marrin shërbime shëndetësore në rajonin ku banojnë dhe mos të kenë nevojë të drejtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thuhet në njoftim, transmeton Gazeta Shneta.
Në njoftim thuhet po ashtu se SHSKUK do të hapë së shpejti konkurse të tjera për pranim të stafit në Spitalet e Përgjithshme, në mënyrë që të zëvendësohen kuadrot që kanë dalë në pension, por do të ketë edhe pranime të reja. /Gazeta Shneta/