Spitali i Pejës ka nënshkruar kontratën për blerjen e rezonancës magnetike me kompaninë “Medbrand”.
Kontrata është nënshkruar ditën e djeshme në mes të drejtorit të spitalit Fazli Shala, zyrtares për prokurim Zelfije Kastrati dhe menaxherit të kompanisë “Medbrand” Fatmir Gashi, shkruan Gazeta Shneta.
Me këtë kontratë rezonanca magnetike do t’i kushtojë spitalit të Pejës 558,800 Euro, para këto të cilat nuk i kishte në plotëni.
Spitali i Pejës e kishte shpallur njoftimin për kontratë me vlerë të parashikuar 500 mijë euro, ndërsa tenderin ia dha kompanisë “Medbrand” në vlerë 558,800 Euro. Paratë shtesë spitali i siguroi nga buxheti i SHSKUK-së.
Për këtë tender ishte edhe një ofertues tjetër, kompania “Uni-Care” e cila ofertoi me rreth 482,022 Euro. Kjo e fundit u ankua në Organin e Shqyrtimit Publik, por ky institucion e refuzoi ankesën përkundër se eksperti shqyrtues kishte rekomanduar që procedura të anulohej.
Eksperti kishte deklaruar gjatë shqyrtimit se spitali i Pejës e ka kufizuar konkurrencën për këtë procedurë pasi e ka rritur vlerën e parashikuar pasi e ka rekomanduar operatorin për kontratë. Ai kishte deklaruar se sikur ta dinin se do të rritej vlera e parashikuar, do të aplikonin edhe operatorë të tjerë.
Megjithatë OSHP e ka hedhur poshtë ankesën duke kërkuar nga spitali i Pejës që të siguroj buxhetin shtesë para se ta nënshkruaj kontratën. Këtë buxhetë ia ka mundësuar menaxhmenti i SHSKUK-së.
Blerja e rezonancës magnetike në Spitalin e Pejës ishte votuar në projektbuxhetin e vitit 2022 nga Kuvendi i Kosovës me inicim të deputetës së VV-së Fatmire Kollçaku. /Gazeta Shneta/