Katër raste të lindjeve në klinikat private “Sirona” dhe “Lindja”, kanë përfunduar në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK për shkak të komplikimeve.
Trendi i lindjeve në klinika private është rritur kohëve të fundit për shkak të shërbimeve dhe kushteve që i ofrojnë.
Disa prej klinikave ku kryesisht fushën kryesore e kanë gjinekologjinë me obstetrikë, funksionojnë me shërbimin sekondar të shëndetësisë. Prandaj pikë reference për rastet e komplikuara e kanë shërbimin terciar në QKUK.
Gjatë këtij viti janë 4 raste kur foshnjat pas lindjes janë dërguar me urgjencë në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK. Dy raste i ka dërguar klinika “Sirona” dhe po aq klinika “Lindja”, shkruan Gazeta Shneta.
Arsyet e transferimit të këtyre rasteve kanë të bëjnë me komplikimet gjatë procesit të lindjes. Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Neonatologjisë, Dr. Xhevdet Gojnovci.
“Tri raste janë me infeksione në mushkëri dhe një tjetër me asfiksion perinatal”, ka deklaruar Gojnovci.
Ai ka shtuar se këto raste kanë qëndruar në klinikën që e drejton ai, shtatë deri në 14 ditë.
Asfiksioni perinatal paraqitet në lindjet natyrale kur foshnja ka peshë të lartë dhe në këto raste nënat paraprakisht rekomandohen për lindje cezariane.
“Të gjitha më pastaj janë liruar në shtëpi pas trajtimit të suksesshëm”, ka thënë Gojnovci. /Gazeta Shneta/