Çdo grua shtatzënë e pret kohën kur ajo do të marrë fëmijën e saj në krahë dhe ta ushqejë me qumësht. Kjo është një nga arsyet që shumica e grave shtatzëna ndjekin disa teknika të posaçme para lindjes. E megjithatë mund të ketë raste kur një grua mund të mos jetë në gjendje të ushqejë me gji. Kjo mund të jetë për shkak të arsyeve të ndryshme biologjike, fizike ose të stilit të jetesës.
Në fakt pamundësia për të ushqyer me gji fëmijën mund të jetë zhgënjyese për një nënë të re. Prandaj është mirë të dini paraprakisht nëse një problem i caktuar mund të ndikojë në mundësitë tuaja për të ushqyer me gji.
Më poshtë ju tregojmë disa raste të tilla:
Historiku i ndryshimeve në gjoks. Nëse keni pasur më parë një procedurë për zmadhimin apo zvogëlimin e gjoksit, kjo mund të ndikojë në aftësinë tuaj për të ushqyer me gji. Duke qenë se ndërhyrjet kirurgjikale në gjoks si ngritja apo zmadhimi kërkojnë prerje përmes indeve të gjirit, mund të ndodhë që të priten muskujt dhe nervat përgjegjës për laktacion.
Indet e pamjaftueshme të gjëndrave. Ndonjëherë, një grua shtatzënë mund të mos jetë në gjendje të ushqejë me gji për shkak të problemeve biologjike. Për shembull, indet e pamjaftueshme të gjendrave janë një problem i rrallë ku indet e gjëndrave të gjirit nuk janë plotësisht të zhvilluara dhe kjo më pas nuk lejon prodhimin e mjaftueshëm të qumështit.
Shtatzënia e shumëfishtë. Nganjëherë, kur një grua është shtatzënë me binjakë, trinjakë apo më shumë, ajo mund të ketë vështirësi në dhënien e gjirit. Kjo nuk do të thotë se ajo nuk do të ketë fare qumësht, por duke qenë se do të ketë më shumë se një bebe për të ushqyer ajo mund të mos jetë në gjendje ta bëjë këtë.
Kimioterapia. Një trajtim me kimioterapi ose rrezatim funksionon duke shkatërruar qelizat e kancerit. Në këtë proces, trajtime të tilla mund të shkatërrojnë gjithashtu disa qeliza të mira. Jo të gjitha gratë që i nënshtrohen kimioterapisë nuk mund të ushqejnë me gji por kjo është një arsye pse mund të mos ndodhë.
Mungesa e mbështetjes sociale. Ushqyerja me gji nuk është e lehtë, sidomos gjatë fazës fillestare. Kjo është arsyeja pse nënat e reja kanë nevojë për shumë inkurajim dhe mbështetje. Për fat të keq, shumica e grave pas lindjes, sidomos nënat që punojnë, nuk marrin atë lloj mbështetjeje që ju nevojitet, duke i bërë ato që të përdorin qumështin formulë si mjetin e fundit.
Depresioni Postpartum. Ka disa studime që thonë se ushqyerja me gji mund të ketë disa përfitime psikologjike për nënën. Megjithatë, ka një numër të barabartë studimesh që tregojnë se depresioni pas lindjes mund të çojë në ndërprerjen e hershme të ushqyerjes me gji. Sido që të jetë rasti, depresioni i paslindjes pengon aftësinë e një gruaje për të ushqyer me gji.
Mospërputhja e tiroideve. Pabarazitë hormonale janë të zakonshme gjatë dhe pas shtatzënisë. Megjithatë, hormonet tiroide janë të nevojshme për rritjen normale dhe funksionimin e trupit të njeriut, duke përfshirë prodhimin e qumështit të gjirit. Prandaj, nëse një nënë e re ka nivele të ulëta të tiroides, të quajtur gjithashtu hipotiroidizëm, ajo mund të mos jetë në gjendje të prodhojë qumësht të mjaftueshëm për të ushqyer me gji.
Historiku i një dhune të kaluar. Disa gra, për fat të keq, përjetojnë dhunë ekstreme fizike. Kjo mund të jetë ose dhunë në familje, abuzim në fëmijëri, një krim i pafat, ose raste të tilla që mund të bëjnë që ajo të mos pëlqejë të preket në këtë pjesë të trupit. Megjithëse tek një grua mund të zhvillohet ndjesia e amësisë, ajo mund të shmangë çdo veprim apo kontakt fizik që mund të sjellë kujtime të këqija nga e kaluara e saj.
Medikamentet. Ndonjëherë, një nënë e re mund të përdorë ilaçe për shkak të një operacioni të komplikuar ose sëmundjeve të mëparshme si antidepresivë për depresion etj. Të gjithë e dimë se çfarëdo që një nënë konsumon, kjo ndikon në cilësinë e qumështit të prodhuar nga ajo. Kështu që medikamente të caktuara mund të pengojnë nënat e reja nga prodhimi i mjaftueshëm i qumështit.