Një tender milionësh i Qendrës Klinike Stomatologjike për furnizim me pajisje dentare ka nxitur dyshime për favorizim dhe kufizim të konkurrencës, por Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka vendosur ta hedhë poshtë ankesën.
Bëhet fjalë për një kontratë me vlerë rreth 2 milionë euro, që përfshin furnizimin me autoklavë, unita stomatologjike dhe pajisje laboratorike me sisteme të integruara.
Fillimisht, kompania “Bora Dental” kishte kundërshtuar çmimin e parashikuar, duke pretenduar se pajisjet nuk vlejnë më shumë se 900 mijë euro dhe duke e cilësuar diferencën prej rreth 1 milion euro si “vjedhje të buxhetit të shtetit”.
“Vlera reale e pajisjeve të kërkuara në treg nuk kalon 900,000 euro, ndërsa tenderi është shpallur në 1,899,000 euro, duke krijuar një diferencë prej rreth 1 milion euro që përbën vjedhje të drejtpërdrejtë të buxhetit të shtetit. Kjo procedurë nuk është vetëm e paligjshme dhe diskriminuese, por përmban shenja të qarta të një veprimi kriminal që do te duhej hetuar menjëherë“.
Pas kësaj ankese, Qendra Klinike Stomatologjike, ka bërë ndryshime në dosjen e tenderit, por pa e ulur vlerën e parashikuar.
Këto ndryshime u bënë objekt i një ankese të re në OSHP nga një operator tjetër ekonomik, i cili pretendon se specifikimet teknike janë përshtatur për prodhues të caktuar.
Ankesa se tenderi po i bëhet gati kompanisë Bora Dental
Sipas ankesës, kërkesat e reja janë të ngjashme me katalogët e kompanive ndërkombëtare si Dentsply Sirona, Melag, Dürr Dental, Renfert dhe Futudent, për të cilat në Kosovë përfaqësues i autorizuar është “Bora Dental”.
Sipas kësaj ankese, ndryshimet synojnë kufizimin e konkurrencës.
“Në kundërshtim me parimet themelore të Ligjit për Prokurimin Publik. Përkundër këtyre vendimeve, Autoriteti Kontraktues ka bërë ndryshime substanciale në specifikimet teknike të dosjes së tenderit, duke vendosur kërkesa teknike që në praktikë rezultojnë të përshtatura për një prodhues të caktuar, duke kufizuar kështu konkurrencën dhe trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë“, thuhet në ankesë.
“Pra, konfigurimi i ri i cili është ndryshuar nga konfigurimi paraprak në mënyrë esenciale rezulton në një prodhues të vetem Dürr Dental, I cili po ashtu posedon distributorin ekskluziv në tregun e Kosovë, i cili është po i njëjti me Dentsply Sirona, përkatësisht BORA DENTAL SH.P.K. Kjo qasje krijon avantazh për një operator ekonomik të vetëm Bora Dental dhe largon teresisht pjesëmarrjen e prodhuesve të tjerë ndërkombëtarë në këtë procedurë prokurimit“
Në ankesë thuhet gjithashtu se buxheti ka mbetur i lartë, ndërsa janë zbutur kriteret teknike.
“Ndërsa buxheti i paraparë ka mbetur i lartë, AK ka “zbutur” parametrat teknikë. Për shembull, te Skaneri Intraoral, janë hequr kërkesat për procesorë i7 dhe karta grafike profesionale, duke lejuar ofertimin e pajisjeve me performancë më të dobët për të njëjtin çmimZbutje të kritereve te specifikimeve teknike krahasuar me versionin fillestar qe kane qene nje cilësie te larte, duke larguar parametra të rëndësishëm teknikë që garantonin cilësinë dhe performancën e pajisjeve. Si rezultat, specifikimet e reja lejojnë ofertimin e pajisjeve me standard teknik shume më të ulët krahasuar me kërkesat fillestare, ndërkohë që vlera e parashikuar ka mbetur i pandryshuar“
Operatori ankues pretendon shkelje të Nenit 7 (Barazia në Trajtim) dhe Nenit 28 (Specifikimet Teknike)
Vendimi i OSHP-së
Ndërkaq, OSHP në shqyrtimin e saj ka konstatuar se ankesa nuk i plotëson kushtet për t’u trajtuar si e lejueshme, duke e hedhur atë poshtë dhe duke i hapur rrugë vazhdimit të procedurës së tenderit.
Sipas vendimit, kërkesat e dosjes së tenderit janë në përputhje me ligjin.
“Paneli shqyrtues bazuar në faktin hedhjes si të palejuar të ankesës të OE “DUA 5n2 SH.P.K.”. vendosi ti kthehet tarifa e sigurimit të ankesës në shumën e deponuar me rastin e parashtrimit të ankesës nga operatori ekonomik ankues, bazuar në nenin 31 par. 4 të Rregullores së Punës së OSHP-së”./insajderi.org/



