Është mbajtur sot ceremonia e hapjes së Kongresit dhe Panairit të parë Mjekësor të organizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Në këtë ngjarje që do të zgjatë dy ditë, më 18 dhe 19 nëntor, marrin pjesë dhjetëra ligjërues vendor dhe nga universitete nga mbarë bota, ndërsa pritet të marrin pjesë mijëra specialistë të fushave të ndryshme, shkruan Gazeta Shneta.
Kryetari i OMK-së Dr. Pleurat Sejdiu ka thënë se ky kongres ka për qëllim avancimin e mjekëve. “Kongresi dhe panairi është konceptuar si ngjarje profesionale në fushën e mjekësisë që do të mbahet çdo vit. OMK do të përmbush detyrën fisnike për edukimin e vazhdueshëm të mjekëve”, ka deklaruar Sejdiu.
Sekretarja e Përgjithshëm e Komitetit të Përhershëm Evropian të Mjekëve, Annabel Seebohm, ka mbajtur një fjalë rasti ku ka shprehur kënaqësinë e saj që mori pjesë në kongresin e parë të organizuar nga OMK, organizatë kjo të cilën ajo e përgëzoi për punën që kanë bërë.
“Oda e Mjekëve të Kosovës është një storie suksesi. E kujtoj shumë mirë kohën kur keni viztuar Berlinin ku kam punuar edhe unë. Ne ju urojmë që vitin e kaluar keni arritur të bëheni anëtar në Komitetin e Përhershëm të Mjekëve Evropian”, ka deklaruar Seebohm.
Prodekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Ibrahim Rudhani, ka thënë se OMK dhe Fakulteti i Mjekësisë e fuqizojnë njëra-tjetrën dhe kjo ka hapur më shumë shtigje për mjekësinë në Kosovë. /Gazeta Shneta/