Oda e Mjekëve të Kosovës është duke mbajtur një tryezë për Ligjin e Pagave të miratuar vitin e kaluar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe për mjekët që aktualisht janë të papunë.
Në këtë tryezë po marrin pjesë krerë të institucioneve shëndetësore, deputetja dhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës Albena Reshitaj, kryetari i OMK-së Dr. Pleurat Sejdiu, kryetarët e sindikatave dhe shoqatave tjera, drejtori për shëndetësi në Prishtinë Dr. Bujar Gashi, etj.
Tryeza është hapur nga kryetari i OMK-së Dr. Pleurat Sejdiu i cili ka deklaruar se kanë marr konfirmimin për pjesëmarrje edhe nga ministri Armend Zemaj i cili pritet t’i bashkohet tryezës ndërkohë.
Ndërkaq Reshitaj në fjalën e saj ka ngritur shqetësimin për qindra mjekë dhe stomatologë të pa punë që janë aktualisht në Kosovë. Ajo ka thënë se rëndësia e mjekëve në Kosovë fatkeqësisht është vlerësuar vetëm tani në kohë pandemie.
Reshitaj ka thënë se implementimi i Ligjit të Pagave nuk duhet të dështojë pasi vetëm me këtë ligj rikthehet dinjiteti i punëtorëve shëndetësorë. /Gazeta Shneta/