Shkruan: Bujar Vitija
Një koleg pati probleme me shëndetin për një periudhë gati një vjeçare, dhe përveç që shqetësohej për trajtimin, atë e mundonin shumë edhe informacionet që i merrte në rrjetet sociale.
Simptomat që i përjetonte ai, e që shpeshherë shfaqen me tituj bombastik, ia fusnin frikën se ishte i prekur nga ndonjë sëmundje e rëndë.
Fatmirësisht, i njëjti u shërua dhe i tejkaloi telashet, por sikurse ai, secili lexues mund të ketë shqetësime të tilla nga informacione të rrejshëme dhe të pa verifikuara në formë kurioziteti për shëndetin.
Në ‘news feed-in’ e facebook-ut tuaj, do të shtohet edhe një link më shumë. Kësaj radhe, kjo lidhje e re nuk do t’ju mashtrojë, por do t’ia vlejë klikimi mbi të.
Në tregun e mbingarkuar të mediave elektronike, do të përpiqet të gjejë vend edhe një projekt i ri. Jo me sasi, por me cilësi të lajmeve dhe këshillave për shëndetin.
#GazetaShneta do të jetë mediumi më i ri që do të synojë të shndërrohet në një platformë për njerëzit me probleme shëndetësore.
Projekti i ri do të vijë i profilizuar, ‘Shneta’ do të trajtojë ekskluzivisht shëndetësinë ku do të jetë një vegëz më shumë për zgjidhjen e problemeve të pacientëve.
Kjo synohet të arrihet nëpërmjet trajtimit të informacioneve, temave dhe problemeve që përfshijnë të gjithë sistemin e shëndetësisë në vend.
Poashtu, në Gazeta Shneta do të ketë këshilla profesionale të mjekëve më të njohur në Kosovë e Shqipëri, si dhe forumin ku do të diskutohet për çdo temë që mundon lexuesit apo ua zgjon kureshtjen.
Gjithsesi, me rëndësi Shneta!