Konsumimi i një avokadoje çdo ditë mund të ndihmojë në përmirësimin e kontrollit të nivelit të sheqerit në gjak, sipas një studimi të publikuar së fundmi në revistën shkencore “Current Developments in Nutrition”.
Studiuesit zbuluan se përfshirja e përditshme e avokados në dietë ul të ashtuquajturën “ngarkesë glikemike”, një tregues që mat ndikimin e ushqimeve në rritjen e sheqerit në gjak, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studimi analizoi të dhënat e 961 të rriturve me mbipeshë ose obezitet. Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: njëri konsumonte një avokado të madhe çdo ditë për gjashtë muaj, ndërsa grupi tjetër vazhdonte dietën e zakonshme, duke kufizuar konsumimin e avokados në jo më shumë se dy fruta në muaj.
Rezultatet treguan se personat që konsumuan avokado çdo ditë kishin një ngarkesë glikemike më të ulët krahasuar me grupin kontrollues.
Studiuesit mendojnë se ky efekt mund të lidhet me përmbajtjen e lartë të fibrave dhe yndyrave të shëndetshme që gjenden në avokado. Këta përbërës ndihmojnë në ngadalësimin e përthithjes së karbohidrateve dhe në stabilizimin e niveleve të glukozës në gjak.
Ekspertët theksojnë se avokado është një ushqim shumë i pasur me lëndë ushqyese, përfshirë fibra, vitamina dhe yndyra mono të pangopura, të cilat janë të dobishme për shëndetin e zemrës dhe metabolizmit.
Përveç kësaj, avokado krijon ndjenjë ngopjeje, duke bërë që njerëzit të konsumojnë më pak ushqime të tjera më pak të shëndetshme.
Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të konfirmuar këto rezultate dhe për të kuptuar më mirë rolin e avokados në kontrollin afatgjatë të sheqerit në gjak. /Gazeta Shneta/


