Një studim i ri ka treguar se një dozë e vetme e vaksinës kundër virusit respirator sincicial (RSV) mund të ofrojë mbrojtje të konsiderueshme për dy sezone gripale dhe të ftohti tek të moshuarit.
Hulumtimi, i publikuar më 30 gusht në Journal of the American Medical Association, përfshiu afro 7 mijë persona mbi moshën 60 vjeç, të shtruar në 26 spitale në 20 shtete amerikane gjatë sezoneve 2023–2024 dhe 2024–2025.
Rezultatet treguan se vaksina uli rrezikun e shtrimit në spital për shkak të RSV-së me 69% në vitin e parë dhe me 48% në vitin e dytë.
“Rezultatet tregojnë qartë se vaksinat kundër RSV parandalojnë shtrimet në spital dhe sëmundjet kritike tek të moshuarit,” tha udhëheqësi i studimit, Dr. Wesley Self nga Qendra Mjekësore e Universitetit Vanderbilt.
Megjithatë, efektiviteti i vaksinës ra mes vitit të parë dhe të dytit, duke ngritur pyetje mbi nevojën e një doze përforcuese në të ardhmen.
RSV përbën një kërcënim serioz për të moshuarit mbi 60 vjeç, duke shkaktuar çdo vit deri në 150 mijë shtrime në spital dhe rreth 8 mijë vdekje vetëm në SHBA.
Aktualisht, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë një dozë të vetme për të gjithë të rriturit mbi 75 vjeç, si dhe për ata të moshës 50–74 vjeç që kanë rrezik të shtuar. Sipas udhëzimeve, nuk kërkohet përsëritje e vaksinimit.
Megjithatë, studiuesit sugjerojnë se rekomandimet mund të rishikohen, duke marrë parasysh zbehjen graduale të mbrojtjes. “Dozimi i përsëritur pas një periudhe të caktuar mund të jetë një strategji për të ruajtur mbrojtjen më gjatë,” shtoi Dr. Self.


