Një studim i ri ndërkombëtar ka zbuluar se një injeksion i vetëm me dozë të ulët të esketaminës, i administruar menjëherë pas lindjes, mund të reduktojë dukshëm rrezikun e depresionit të madh pas lindjes te nënat që kanë përjetuar depresion gjatë shtatzënisë.
Studimi, i publikuar në revistën mjekësore “BMJ”, u zhvillua në pesë spitale në Kinë dhe përfshiu 361 gra me moshë mesatare 32 vjeç. Ato që kishin shenja të depresionit prenatal morën një injeksion me esketaminë ose një placebo rreth 40 minuta pas lindjes.
Rezultatet treguan se vetëm 6.7% e nënave që morën esketaminë përjetuan një episod të madh depresiv brenda 42 ditëve, krahasuar me 25.4% të atyre që morën placebo. Ndërkohë, disa pjesëmarrëse raportuan efekte anësore të lehta, si marramendje apo shikim të dyfishtë, të cilat u zhdukën brenda ditës.
Esketamina, një derivat i ketaminës që përdoret zakonisht si anestetik dhe në trajtimin e depresionit, po shihet si një ndërhyrje premtuese, e sigurt dhe me kosto të ulët, shkruan Euronews Health.
“Një dozë e vetme esketamine intravenoze është jashtëzakonisht e sigurt, efektive dhe e përballueshme për gratë në rrezik nga depresioni pas lindjes,” tha Dr. Rupert McShane, psikiatër në Universitetin e Oksfordit.
Depresioni pas lindjes prek rreth një në dhjetë gra dhe shoqërohet me trishtim, ankth, lodhje, pagjumësi dhe vështirësi në lidhjen me foshnjën, transmeton Gazeta Shneta.
Ky zbulim hap rrugë për qasje të reja terapeutike që mund të lehtësojnë barrën emocionale dhe shëndetësore të prindërve të rinj. /Gazeta Shneta/


