Një studim i ri sugjeron se konsumimi i shpeshtë i vezëve mund të lidhet me një rrezik më të ulët për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.
Sipas gjetjeve, personat që konsumojnë vezë të paktën pesë herë në javë kanë një probabilitet më të vogël për t’u diagnostikuar me këtë formë të demencës, krahasuar me ata që nuk konsumojnë fare vezë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Këto rezultate vijnë në vazhdën e kërkimeve të mëparshme që kanë treguar se edhe konsumimi i moderuar i vezëve mund të ketë ndikim pozitiv në shëndetin e trurit.
Një studim i vitit 2024 kishte gjetur se konsumimi i një veze në javë lidhej me një ulje të ndjeshme të rrezikut për Alzheimer.
Studiuesit nga Universiteti “Loma Linda”, analizuan të dhëna nga mbi 39,000 persona dhe i krahasuan me regjistrat mjekësorë.
Ata zbuluan se konsumimi i vezëve 2–4 herë në javë lidhej me 20% rrezik më të ulët, ndërsa konsumimi 5 herë ose më shumë në javë lidhej me deri në 27% rrezik më të ulët për diagnozë të Alzheimerit.
Ekspertët theksojnë se vezët përmbajnë lëndë ushqyese të rëndësishme për trurin, si kolina, omega-3, vitaminën B12, si dhe antioksidantë që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nervore dhe përmirësimin e kujtesës.
Megjithatë, studiuesit sqarojnë se këto rezultate nuk provojnë një lidhje shkakësore.
Ata këshillojnë që vezët të konsumohen si pjesë e një diete të balancuar, e cila përfshin fruta, perime dhe ushqime të tjera të shëndetshme, dhe jo si zgjidhje e vetme për parandalimin e sëmundjeve të trurit. /Gazeta Shneta/


