Një studim i ri sugjeron se një test i thjeshtë gjaku mund të parashikojë rrezikun e një gruaje për sëmundje të zemrës brenda 30 viteve.
Studimi zbuloi se gratë me nivele të larta të tre shënuesve specifikë të gjakut kishin një rrezik trefish më të lartë për sëmundjet kardiovaskulare, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Përveç kësaj, nivelet e larta të këtyre shënuesve lidhen edhe me një rrezik 1.5 herë më të lartë për goditje në tru. Rezultatet u publikuan në “New England Journal of Medicine” dhe u prezantuan në takimin vjetor të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Londër.
Studiuesi Dr. Paul Ridker nga Boston theksoi se: “Ne nuk mund të trajtojmë atë që nuk e masim. Shpresojmë që këto zbulime të afrojnë fushën më pranë identifikimit të mënyrave për të zbuluar dhe parandaluar sëmundjet e zemrës më herët.”
Hulumtimi përfshiu rreth 28,000 gra amerikane, me moshë mesatare 55-vjeç. Gjatë 30 viteve të ndjekjes, mbi 3,600 gra patën një atak në zemër, goditje në tru, operacion për arteriet e bllokuara ose vdekje të lidhur me zemrën.
Studiuesit analizuan nivelet e kolesterolit LDL, lipoproteinës (a) dhe proteinës C-reaktive (CRP).
Rezultatet treguan se nivelet e larta të LDL rrisnin rrezikun për sëmundje të zemrës me 36%, lipoproteinës (a) me 33%, dhe CRP me 70%. Kombinimi i të tre niveleve ofron një vlerësim shumë më të saktë të rrezikut kardiovaskular tek gratë. /Gazeta Shneta/


