Një test i thjeshtë gjaku mund të ndihmojë në identifikimin e hershëm të rrezikut për rënie njohëse, vite përpara se demenca të diagnostikohet me metodat tradicionale, sipas një studimi të realizuar nga University of East Anglia.
Studimi, i publikuar në Gut Microbes, tregon se ndryshime të vogla në përbërjen kimike të gjakut mund të sinjalizojnë fazat e hershme të dëmtimit të kujtesës. Këto ndryshime lidhen me substancat që prodhohen nga bakteret e zorrëve, duke forcuar lidhjen mes sistemit tretës dhe trurit.
Sipas studiuesve, zbulimi i hershëm është i rëndësishëm pasi dëmtimi i trurit shpesh ndodh para se simptomat të bëhen të dukshme.
Në kuadër të hulumtimit janë analizuar mostra gjaku dhe feçesh nga 150 persona mbi moshën 50 vjeç, përfshirë individë të shëndetshëm, persona me dëmtime të lehta njohëse dhe të tjerë që raportojnë probleme me kujtesën, por pa diagnozë klinike.
Rezultatet treguan se një model i bazuar në vetëm gjashtë përbërës kimikë të gjakut arriti të dallojë grupet e ndryshme me një saktësi prej rreth 79 për qind, ndërsa dallimi mes personave të shëndetshëm dhe atyre me dëmtime të lehta njohëse tejkaloi 80 për qind.
Studiuesit theksojnë se këto ndryshime janë të lidhura ngushtë me bakteret e zorrëve, duke nënvizuar rolin e të ashtuquajturës “boshti zorrë–tru” në proceset e plakjes së trurit.
Megjithatë, ata sqarojnë se testi nuk është ende gati për përdorim klinik, por mund të hapë rrugën për metoda më të hershme dhe jo-invazive të identifikimit të rrezikut për demencë.


