Shkencëtarët kanë prezantuar një metodë të re dhe inovative që mund të parashikojë rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së Alzheimerit pa pasur nevojë për vizita në klinikë. Testi kombinon një analizë të thjeshtë gjaku nga gishti me teste online të kujtesës dhe funksioneve mendore, të cilat mund të kryhen plotësisht nga shtëpia.
Ky studim u udhëhoq nga studiues të Shkollës Mjekësore të Universitetit Exeter dhe përfshiu 174 pjesëmarrës që kryen vetë testin dhe dërguan mostrat në laborator. Analizat kërkuan dy biomarkues të rëndësishëm në gjak, të lidhur me Alzheimerin dhe dëmtimin e trurit, shkruan burimi Independent UK transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët zbuluan se kombinimi i analizës së gjakut me testet kompjuterike të kujtesës mund të ndihmojë në identifikimin e personave me rrezik të lartë për demencë.
Kjo do të lejonte që pacientët më të rrezikuar të marrin më shpejt kontrolle të specializuara, trajtim dhe mbështetje mjekësore.
Sipas profesorëve që morën pjesë në studim, aktualisht shumë pak njerëz me shenjat e para të rënies njohëse arrijnë të diagnostikohen në kohë.
Prandaj, një metodë e thjeshtë dhe me kosto të ulët si kjo mund të ndihmojë miliona njerëz, sidomos ata që kanë vështirësi për të shkuar në klinika.
Specialistët theksojnë se rezultatet janë premtuese, por nevojiten studime më të mëdha për të konfirmuar saktësinë e testit në përdorimin e përditshëm mjekësor.
Megjithatë, studiuesit besojnë se kjo teknologji mund të revolucionarizojë diagnostikimin e hershëm të Alzheimerit dhe të përmirësojë trajtimin e pacientëve në të ardhmen. /Gazeta Shneta/


