Një studim i ri sugjeron se një ndryshim shumë i thjeshtë në mënyrën e fjetjes mund të ndihmojë personat me glaukomë të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes së syrit. Sipas studiuesve, të fjeturit pa jastëk mund të ulë presionin e brendshëm të syrit, një faktor kyç që, kur rritet, dëmton nervin optik dhe çon në humbje të pakthyeshme të shikimit.
Gjetjet, të publikuara më 27 janar në “British Journal of Ophthalmology”, tregojnë se rreth dy të tretat e pacientëve me glaukomë përjetuan rritje të ndjeshme të presionit të syrit kur flinin me dy jastëkë nën kokë, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Sipas autorëve, heqja dorë nga jastëku mund të shërbejë si një strategji e thjeshtë dhe jo-farmakologjike, përpara se pacientët të kalojnë te medikamentet ose terapia me lazer.
Studiuesit shpjegojnë se jastëkët e vendosur njëri mbi tjetrin ndryshojnë pozicionin e qafës dhe mund të ngjeshin venën jugulare. Kjo pengon kullimin normal të lëngut të syrit (humori ujor), duke rritur presionin intraokular gjatë natës.
Në studim morën pjesë 144 persona me glaukomë, të cilët u monitoruan ndërsa flinin herë me dy jastëkë, që ngrinin kokën 20–35 gradë, dhe herë pa asnjë jastëk.
Matjet treguan se presioni i syrit ishte dukshëm më i lartë në pozicionin me jastëkë, ndërsa ulej presioni i perfuzionit okular, i domosdoshëm për qarkullimin e gjakut në sy.
Sipas ekspertëve, shmangia e pozicioneve të fjetjes që rrisin presionin e syrit përfaqëson një ndryshim të thjeshtë sjelljeje, por potencialisht shumë të dobishëm për menaxhimin afatgjatë të glaukomës. /Gazeta Shneta/


