Një studim i ri sjell lajme pozitive për gratë në menopauzë që ndjekin terapi hormonale: barnat për humbje peshe mund të jenë më efektive tek ato.
Sipas gjetjeve të publikuara më 22 janar në “The Lancet Obstetrics, Gynecology & Women’s Health”, gratë që merrnin terapi hormonale gjatë menopauzës humbën 35% më shumë peshë gjatë trajtimit me Zepbound (substanca aktive tirzepatidi), krahasuar me ato që përdornin vetëm ilaçin për dobësim, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Menopauza shpesh përshpejton shtimin në peshë të lidhur me moshën, duke rritur rrezikun për mbipeshë dhe obezitet. Njëkohësisht, ky proces shoqërohet me simptoma si afshet e nxehta dhe djersitjet e natës, për të cilat terapia hormonale konsiderohet trajtimi më efektiv i linjës së parë.
Megjithatë, deri më tani nuk ishte e qartë se si barnat e tipit GLP-1, si tirzepatidi, ndërveprojnë me terapinë hormonale.
Në këtë studim vëzhgues u analizuan të dhënat e 120 grave mbipeshë ose obeze që kishin përdorur tirzepatid për të paktën një vit. Prej tyre, 40 ishin në terapi hormonale dhe u krahasuan me 80 gra që nuk merrnin këtë trajtim.
Rezultatet treguan se grupi me terapi hormonale pati humbje peshe dukshëm më të madhe.
Studiuesit theksojnë se, për shkak se studimi nuk ishte i randomizuar, nuk mund të thuhet me siguri se terapia hormonale ishte shkaku i drejtpërdrejtë i humbjes shtesë në peshë. Faktorë si gjumi më i mirë, cilësia e jetës apo zakone më të shëndetshme mund të kenë luajtur rol.
Megjithatë, rezultatet hapin rrugën për studime të mëtejshme dhe sugjerojnë se kombinimi i terapisë hormonale me barna moderne për dobësim mund të ofrojë përfitime të rëndësishme për miliona gra pas menopauzës. /Gazeta Shneta/


