Shumë njerëz e lidhin terapinë psikologjike me të rinjtë, por studimet dhe përvojat personale tregojnë se ajo mund të jetë po aq e vlefshme, madje edhe më e dobishme, për personat në moshë të shtyrë.
Maurizio, 70 vjeç, nisi terapinë për të kuptuar më mirë migrenat që e kishin shoqëruar që nga fëmijëria. Edhe pse nuk gjeti një shkak të vetëm për problemin, ai zbuloi diçka tjetër me vlerë: një hapësirë reflektimi që e ndihmoi të kuptonte më qartë jetën e tij.
Ndërkohë, Antonio, 73 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Gigliola, 68 vjeçe, iu drejtuan terapisë për të shpëtuar marrëdhënien e tyre pas vitesh tensioni dhe zhgënjimesh. Ata thonë se procesi i ndihmoi të shprehnin ndjenja që më parë nuk kishin mundur t’i ndanin, shkruan BBC.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), rreth 14% e personave mbi 70 vjeç vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, kryesisht ankthi dhe depresioni.
Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e tyre përfitojnë terapi psikologjike. Kjo ndodh pavarësisht se kërkimet shkencore nuk kanë gjetur asnjë provë që terapia bëhet më pak efektive me kalimin e moshës, transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët theksojnë se terapia mund të ndihmojë të moshuarit të përballen me sfida si vetmia, sëmundjet kronike, konfliktet familjare apo kalimi nga jeta aktive në pension. Në veçanti, terapitë në grup rezultojnë shumë efektive, pasi krijojnë mundësi për lidhje sociale dhe mbështetje emocionale.
Megjithatë, paragjykimet mbeten një pengesë e rëndësishme. Shpesh shqetësimet emocionale të të moshuarve konsiderohen si pjesë “normale” e plakjes dhe jo si probleme që kërkojnë trajtim.
Studiuesit kundërshtojnë këtë ide, duke theksuar se zhvillimi personal dhe ndryshimi pozitiv janë të mundur gjatë gjithë jetës.
“Unë kurrë nuk kam menduar se mund të ishte vonë për diçka”, thotë Maurizio. Për të, terapia nuk ishte vetëm një mënyrë për të përballuar vështirësitë, por edhe një mundësi për të vazhduar të rritet si njeri, pavarësisht moshës. /Gazeta Shneta/


