Një studim i ri ka treguar se fëmijët në Britaninë e Madhe po bëhen më të gjatë mesatarisht, por ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk lidhet domosdoshmërisht me përmirësimin e shëndetit.
Sipas hulumtuesve nga Universiteti i Oksfordit dhe Universiteti College London, rritja e gjatësisë lidhet ngushtë me shtimin e obezitetit tek fëmijët, sidomos në zonat më të varfra, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Studimi analizoi të dhënat e nxënësve në Angli, Skoci dhe Uells dhe zbuloi se gjatë pandemisë COVID-19 pati një rritje më të shpejtë të gjatësisë mesatare tek fëmijët 11-vjeçarë.
Tek djemtë, gjatësia mesatare u rrit nga 145 cm në vitin 2009 në mbi 146 cm pas pandemisë. Tendencë e ngjashme u vërejt edhe tek vajzat.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo rritje shoqërohet me një shtim të mbipeshës dhe obezitetit.
Mbyllja e shkollave dhe izolimi gjatë pandemisë reduktuan aktivitetin fizik dhe përkeqësuan mënyrën e ushqyerjes, veçanërisht tek familjet me të ardhura të ulëta.
Në zonat më të varfra të Anglisë, përqindja e fëmijëve mbipeshë ose obezë u rrit nga 37.7% në 43.3%.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se obeziteti tek fëmijët në Evropë është dyfishuar që nga viti 1990.
Britania e Madhe ka normën më të lartë të obezitetit tek fëmijët mes ekonomive më të mëdha evropiane, duke lënë pas Spanjën, Italinë dhe Gjermaninë.
Në nivel evropian, Hungaria, Qiproja dhe Finlanda raportojnë nivelet më të larta të obezitetit tek të rinjtë nga mosha 5 deri në 19 vjeç. /Gazeta Shneta/


