Obeziteti ndikon në të gjithë trupin, duke zbuluar dëmtime që shkojnë përtej indit dhjamor dhe prekin organe të ndryshme, përfshirë edhe sistemin nervor.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Nature, është udhëhequr nga studiues të Helmholtz Munich dhe Ludwig Maximilian University Munich, të cilët zhvilluan një sistem të ri të quajtur “MouseMapper”.
Ky sistem krijon një “atlas” tredimensional të trupit, duke analizuar njëkohësisht miliona struktura biologjike dhe duke identifikuar organe, nerva dhe qeliza imunitare në të gjithë organizmin.
Përmes përdorimit të markerëve fluoreshentë dhe mikroskopisë speciale 3D, studiuesit arritën të skanojnë trupa të tërë minjsh laboratorikë dhe të analizojnë 31 organe dhe tipe indesh të ndryshme.
Rezultatet treguan se obeziteti shkakton inflamacion dhe ndryshime strukturore në disa organe, përfshirë mëlçinë, muskujt dhe indin dhjamor. Megjithatë, zbulimi më i papritur ishte ndikimi në sistemin nervor.
Sipas studiuesve, minjtë me obezitet kishin dëmtime në nervin trigeminal, i cili kontrollon ndjeshmërinë e fytyrës. Ata kishin më pak degëzime nervore dhe reagim më të dobët ndaj prekjes dhe stimulimit.
Shkencëtarët analizuan edhe mostra njerëzore nga persona me obezitet dhe gjetën ndryshime të ngjashme molekulare, duke sugjeruar se dëmtimet nervore të lidhura me obezitetin mund të ndodhin edhe tek njerëzit.
Autorët e studimit vlerësojnë se kjo teknologji mund të ndryshojë mënyrën se si studiohen sëmundjet komplekse, pasi lejon analizimin e trupit si një sistem të lidhur dhe jo vetëm organ më organ.
Në të ardhmen, ekipi synon të zhvillojë edhe “binjakë digjitalë” të organizmave, që do të mundësonin simulimin e sëmundjeve dhe testimin e trajtimeve para eksperimentimeve fizike, duke përshpejtuar zhvillimin e barnave dhe reduktuar nevojën për eksperimente te kafshët.


