Infeksionet bakteriale seksualisht të transmetueshme (IST), përfshirë sifilizin dhe gonorrenë, kanë arritur nivele rekord në Evropë gjatë vitit 2024, sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve
Sipas raportit, rastet e gonorresë kanë arritur në mbi 106 mijë, duke shënuar rritje prej më shumë se 300% krahasuar me vitin 2015, ndërsa sifilizi është më shumë se dyfishuar në të njëjtën periudhë, me mbi 45 mijë raste të regjistruara. Po ashtu, klamidia mbetet infeksioni më i shpeshtë seksualisht i transmetueshëm në Evropë.
Ekspertët e ECDC-së theksojnë se një pjesë e rritjes lidhet me sjelljet e rrezikshme seksuale, përfshirë përdorimin më të ulët të prezervativëve dhe rritjen e numrit të partnerëve seksualë, veçanërisht te grupmoshat e reja.
Agjencia paralajmëron se infeksionet e patrajtuara mund të sjellin komplikime serioze, përfshirë infertilitetin, dhimbje kronike dhe dëmtime të sistemit nervor apo kardiovaskular, veçanërisht në rastin e sifilizit.
Ndërkohë, ECDC thekson se rritja e testimeve dhe përmirësimi i raportimit mund të kenë ndikuar pjesërisht në rritjen e numrave të regjistruar, por trendi mbetet shqetësues dhe kërkon masa më të forta parandaluese në nivel evropian.
Agjencia rekomandon zgjerimin e programeve të skriningut, rritjen e qasjes në testime falas dhe forcimin e edukimit për shëndetin seksual, me qëllim frenimin e përhapjes së mëtejshme të infeksioneve.


