Organizata Botërore e Shëndetësisë, përuroi të mërkurën një “qendër” të re në Berlin që synon të ndihmojë në përgatitjen më të mirë të globit për të parandaluar pandemitë e ardhshme.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel prenë shiritin për të nisur Qendrën e re të OBSH-së për Inteligjencën Pandemike dhe Epidemike, shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.
OBSH thotë se Gjermania është duke bërë një investim fillestar prej 100 milionë dollarësh në këtë objekt.
Qendra ka për qëllim të promovojë mbledhjen më efektive të të dhënave, shkëmbimin dhe analizën e informacionit, duke çuar në vendimmarrje më të mirë dhe më koherente pas përgjigjes së ashpër globale ndaj pandemisë COVID-19.
Ky objekt i përuruar do të drejtohet nga Dr. Chikwe Ihekweazu, aktualisht drejtor i përgjithshëm i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të Nigerisë.
Pandemia COVID-19 “i ka mësuar botës shumë mësime të dhimbshme,” tha drejtori i OBSH-së, Tedros. “Një nga më të qartët është nevoja për sisteme dhe mjete të reja, të fuqishme për mbikëqyrje globale për të mbledhur, analizuar dhe shpërndarë të dhëna mbi shpërthimet me potencialin për t’u bërë epidemi dhe pandemi.”
“Viruset lëvizin shpejt, por të dhënat mund të lëvizin edhe më shpejt,” tha Tedros. Ai shtoi se qendra e re është një përgjigje ndaj rekomandimeve se çfarë mund të bëhet për ta mbajtur botën më të sigurt në të ardhmen, ‘duke mbushur një boshllëk në mbrojtjen e botës'”.
Merkel theksoi se informacioni i mbledhur nga qendra e re “duhet të ndahet me të gjitha vendet”. Ajo shtoi se “pandemia COVID ka treguar se sa shumë mund të arrijmë kur me të vërtetë kombinojmë pikat tona të forta.” /Gazeta Shneta/