Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar udhëzime të reja duke rekomanduar përdorimin e lenacapavir-it si një formë injeksioni dy herë në vit për të parandaluar infektimin me virusin HIV. Ky virus, i cili mund të çojë në sindromën e mungesës së imunitetit të fituar (AIDS) nëse nuk trajtohet, aktualisht menaxhohet përmes barnave antiretrovirale. Megjithatë, ende nuk ekziston ndonjë vaksinë e aprovuar për HIV.
Sipas të dhënave nga UNAIDS, në vitin 2024, rreth 40.8 milionë njerëz në mbarë botën jetonin me HIV. Po atë vit, 1.3 milionë persona u diagnostikuan rishtazi me HIV, ndërsa rreth 630,000 vdiqën nga shkaqe të lidhura me virusin, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Lenacapavir, i njohur me emrin tregtar Sunlenca për trajtim dhe Yeztugo për parandalim, është një bar inovativ që i përket klasës së inhibitorëve të kapsidit të HIV-it.
Ky ilaç, fillimisht u zhvillua për pacientët me infeksione rezistente ndaj barnave ekzistuese. Falë vetive të veçanta molekulare dhe fuqisë së lartë në frenimin e ciklit jetësor të virusit, lenacapavir u testua edhe si mjet parandaluese në kuadër të studimeve PURPOSE.
Rezultatet ishin premtuese: pjesëmarrësit që morën injeksionin dy herë në vit patën gati 100% mbrojtje ndaj HIV-it.
Bazuar në këto rezultate, OBSH tani e përfshin lenacapavirin si një opsion të ri në gamën e profilaksive para-ekspozuese (PrEP), përkrah barnave ekzistuese si Truvada, Descovy dhe Apretude.
Udhëzimet mbështeten në të dhëna nga fazat e avancuara të provave klinike, veçanërisht PURPOSE 1 dhe 2, ku u vërejt se infeksionet me HIV ishin thuajse të papranishme te përdoruesit e lenacapavir-it.
Po ashtu, OBSH përkrah përdorimin e testeve të shpejta për zbulimin e HIV-it si pjesë e qasjes së shëndetit publik në diagnostikim dhe parandalim. /Gazeta Shneta/


