Më shumë se 8 milionë njerëz u diagnostikuan me tuberkuloz (TB) vitin e kaluar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), shifra më e lartë e regjistruar që kur agjencia e shëndetit të Kombeve të Bashkuara filloi mbajtjen e të dhënave.
Sipas raportit të ri, rreth 1.25 milionë njerëz vdiqën nga TB gjatë vitit 2023, duke e bërë atë sërish sëmundjen infektive më vdekjeprurëse në botë pas pandemisë COVID-19, shkruan BS, transmeton Gazeta Shneta.
OBSH theksoi se tuberkulozi prek kryesisht njerëzit në Azinë Juglindore, Afrikë dhe Paqësorin Perëndimor, ku India, Indonezia, Kina, Filipinet dhe Pakistani përbëjnë më shumë se gjysmën e rasteve në të gjithë botën.
“Për faktin që TB ende vret dhe sëmur kaq shumë njerëz, është shqetësuese kur kemi mjetet për ta parandaluar, zbuluar dhe trajtuar atë,” tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një deklaratë.
Edhe pse vdekjet nga TB po vazhdojnë të bien globalisht dhe numri i infeksioneve të reja po stabilizohet, OBSH vuri në dukje se nga 400,000 persona të vlerësuar me TB rezistente ndaj ilaçeve, më pak se gjysma u diagnostikuan dhe u trajtuan.
Tuberkulozi shkaktohet nga një bakter që transmetohet nëpërmjet ajrit dhe prek kryesisht mushkëritë. Rreth një e katërta e popullsisë globale mendohet të jetë e infektuar, por vetëm rreth 5-10% e tyre zhvillojnë simptoma.
Grupet advokuese, duke përfshirë “Mjekët pa Kufij”, kanë kërkuar prej kohësh nga kompania amerikane Cepheid, që prodhon testet e TB-së të përdorura në vendet e varfra, t’i bëjë ato të disponueshme për 5 dollarë për test për të rritur aksesin. Në fillim të këtij muaji, “Mjekët pa Kufij” dhe 150 partnerë globalë të shëndetësisë i dërguan Cepheid-it një letër të hapur, duke kërkuar që të prioritizojnë jetën e njerëzve dhe të ndihmojnë në përhapjen e testimit të TB-së në nivel global./ Gazeta Shneta/


