Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë (NHS) njoftoi se mijëra pacientë mund të marrin përgjigje më të shpejta për dyshimet e kancerit të fytit përmes një pajisjeje dhe aplikacioni të ri të zhvilluar për iPhone, që po testohet në disa nga spitalet e tij.
Ky adapter inovativ, i cili përfshin një lente 32 mm dhe një aplikacion shoqërues, mund të shndërrojë një iPhone në një pajisje të lëvizshme diagnostikuese për t’u përdorur nga infermierët në zbulimin ose përjashtimin e kancerit të fytit, shkruan BS, transmeton Gazeta Shneta.
Pajisja kap ekzaminime endoskopike të fytit në cilësi të lartë (HD), të cilat mund të ndahen menjëherë me mjekët specialistë të kokës dhe qafës përmes një sistemi të sigurt të ruajtjes së të dhënave. Mjeku mund ta rishikojë menjëherë videon dhe të raportojë tek pacienti nëse ka ndonjë gjurmë të kancerit.
Sipas Dr. Cally Palmer, Drejtoresha Kombëtare për Kancerin në NHS Angli, “Zbulimi i hershëm i kancerit është kyç për t’u dhënë pacientëve mundësinë më të mirë për mbijetesë. Përmes inovacioneve të reja si kjo pajisje për iPhone, shpresojmë të mund të zbulojmë më shumë raste kanceri në mënyra më të përshtatshme dhe më pak invazive për pacientët.”
Në testimin fillestar me pacientë me rrezik të ulët, pajisja nuk humbi asnjë rast kanceri dhe pacientët morën rezultatet brenda 23 orëve nga testi. Teknologjia po aplikohet fillimisht në rajonin e West Midlands, dhe në të ardhmen mund të përdoret në qendra diagnostikuese dhe ambiente komunitare, duke u ofruar njerëzve mundësinë për të kryer testin më afër shtëpisë.
Deri tani, mbi 1,800 pacientë kanë marrë sigurinë se nuk kanë kancer të fytit brenda pak ditësh. Megjithëse për shumicën e pacientëve të grupit të rrezikut të ulët u përjashtua kanceri, rreth një në njëqind pacientë të këtij grupi u diagnostikuan me kancer përmes kësaj pajisjeje.
Kjo pajisje është zhvilluar nga kompania West Midlands, Endoscope-i Ltd, e cila është një nga 14 projektet që kanë përfituar pjesë nga një fond prej 25 milionë paundësh në kuadër të Programit të Inovacionit të Kancerit të NHS./Gazeta Shneta/


