Diagnozat dhe vdekjet nga kanceri i gjirit pritet të rriten në mbarë botën në dekadat e ardhshme, me disa nga incidencat më të larta në Evropën Veriore, paralajmërojnë studiuesit global të kancerit.
Në vitin 2022, 2.3 milion gra u diagnostikuan me kancer gjiri në mbarë botën dhe 670,000 humbën jetën. Një në 20 gra do të diagnostikohet gjatë jetës së saj, duke e bërë këtë formën më të zakonshme të kancerit për gratë, shkruan burimi Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Deri në vitin 2050, vdekjet nga kanceri i gjirit pritet të rriten me 68 përqind, ndërsa rastet e reja do të rriten me 38 përqind, sipas parashikimeve të reja nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimet rreth Kancerit (IARC) të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Kjo do të përkthehet në 3.2 milion raste të reja dhe 1.1 milion vdekje çdo vit.
“Çdo minutë, katër gra diagnostikohen me kancer gjiri në mbarë botën dhe një grua vdes nga kjo sëmundje, dhe këto statistika po përkeqësohen,” tha Dr. Joanne Kim, shkencëtare në IARC dhe njëra prej autoreve të studimit, në një deklaratë.
Megjithatë, ndërsa nivelet e vdekjeve kanë rënë vitet e fundit në Kubë dhe 29 shtete të pasura, vetëm shtatë vende po arrijnë objektivat globale shëndetësore për të ulur vdekjet me të paktën 2.5 përqind çdo vit, gjeti raporti.
Këto përfshijnë Maltën, Danimarkën, Belgjikën, Zvicrën, Lituaninë, Holandën dhe Slloveninë. Disa të tjera janë shumë afër: Norvegjia, Suedia, Irlanda, Australia, Mbretëria e Bashkuar dhe Zelanda e Re.
Nëse të gjitha vendet do të arrinin objektivin e uljes me 2.5 përqind, numri i vdekjeve nga kanceri i gjirit do të ulej gati gjysmë deri në vitin 2050, sipas studimit, që u botua në revistën “Nature Medicine”.
Veçanërisht, normat e incidencës së kancerit të gjirit ishin më të larta në Australi dhe Zelanndën e Re, pasuar nga Amerika e Veriut dhe Evropa Veriore, ndoshta për shkak të faktorëve të rrezikut si konsumimi i alkoolit dhe nivelet më të ulëta të ushtrimeve.
Në Evropë, rreziku i diagnostikimit me kancer gjiri gjatë jetës varion nga 4.9 përqind në Ukrainë deri në 11.1 përqind në Francë.
Rreziku i vdekjes nga kjo sëmundje varion nga 1.1 përqind në Norvegji dhe Spanjë deri në 2.6 përqind në Malin e Zi.
Shumica e rasteve të kancerit të gjirit zbulohen në moshën e mesme ose më vonë. Por në Afrikë, 47 përqind e rasteve ndodhin te gratë nën 50 vjeç, krahasuar me 18 përqind në Amerikën e Veriut, 19 përqind në Evropë dhe 22 përqind në Oqeaninë. /Gazeta Shneta/



