Numri i diagnozave të reja të autizmit është në rritje të shpejtë. Shenjat përfshijnë vështirësi në komunikimin social ose sjellje të përsëritura.
Natasha Nelson, një sipërmarrëse 35-vjeçare në Shtetet e Bashkuara, nuk e kuptonte pse njerëzit që takoheshin për herë të parë zgjidhnin të bënin biseda të shkurtëra në vend që të angazhoheshin në biseda të thella, ose pse njerëzve u pëlqen të rregullojnë shtratin e tyre.
Më pas, disa vite më parë, ajo u diagnostikua me autizëm, pak pasi vajza e saj më e vogël mori të njëjtën diagnozë.
Në SHBA, një studim i botuar vitin e kaluar në “JAMA Network Open”, tregoi një rritje prej 452% të diagnozave të autizmit tek të rriturit amerikanë të moshës 26 deri në 34-vjeç, nga viti 2011 deri në 2022.
Ndërkohë, një studim i vitit 2021 në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se midis viteve 1998 dhe 2018 kishte pasur një rritje prej 787% të diagnozave të autizmit.
Studiuesit e këtij studimi, i cili u botua në “Journal of Child Psychology and Psychiatry”, thanë se kjo mund të ndodhë për shkak të një rritjeje të prevalencës ose “më e mundshmja, për shkak të rritjes së raportimit dhe aplikimit të diagnozës”.
“Rritja e diagnozave tek të rriturit, gratë dhe individët me funksion të lartë sugjeron që njohja e përmirësuar është faktori kryesor i këtyre ndryshimeve”, shtuan autorët – shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Çfarë është autizmi dhe kur diagnostikohet zakonisht?
Çrregullimi i spektrit të autizmit është një çrregullim neurozhvillimor i karakterizuar nga një sërë vështirësish intelektuale, gjuhësore dhe sociale, si ndjekja rigoroze e rutinave, interesat fikse ose obsesive dhe vështirësia për të mbajtur kontakt me sy ose për të kuptuar komunikimin joverbal.
Autizmi zakonisht shfaqet në fëmijëri të hershme, para moshës 3-vjeç, sipas Institutit Pasteur në Francë.
Akademia Amerikane e Pediatrisë, rekomandon që të gjithë fëmijët të kontrollohen për autizëm që në moshën 18-muajsh.
Pse më shumë të rritur po diagnostikohen me autizëm?
Në dekadën e fundit, gjithnjë e më shumë të rritur kanë kërkuar të kuptojnë neurodiversitetin e tyre, shpesh pasi fëmijët e tyre diagnostikohen ose pasi shohin postime në rrjetet sociale.
Disa tipare të autizmit mund të kalojnë pa u vënë re deri në moshën e rritur, kur shfaqen kërkesa të reja shoqërore. Të tjerë mund të kenë mësuar të fshehin sjellje të caktuara, një fenomen i njohur si “maskim”.
“Të rriturit kanë mësuar të përshtaten me kalimin e kohës”, thotë Whitney Ence, psikologe në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, e cila punon me të rritur autikë.
“Ata mund të kenë mësuar: ‘Nuk mund ta shfaq këtë në publik, kështu që e bëj kur jam vetëm'”.
Gjithashtu, ka mbivendosje të simptomave midis çrregullimeve të ndryshme si ADHD (Çrregullimi i Vëmendjes dhe Hiperaktivitetit) dhe OCD (Çrregullimi Obsesiv-Kompulsiv), gjë që mund ta bëjë më të vështirë diagnozën e autizmit për shkak të vështirësive me sinjalet sociale joverbale ose funksionet ekzekutive, si përqendrimi, kujtesa e punës dhe zgjidhja e problemeve. /Gazeta Shneta/


