Varianti Omicron është bërë dominant në Kosovë, pasi IKSHPK e ka detektuar në 70.5 për qind të mostrave të testuara më 5 janar
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se shumica e mostrave që kanë rezultuar pozitive me Sars-Cov-2 tani i takojnë variantit të ri Omicron, shkruan Gazeta Shneta.
Në një përgjigje për Gazetën, IKSHPK ka deklaruar se më 5 janar janë testuar 34 mostra dhe 24 prej tyre kanë rezultuar pozitive me Omicron.
“Më datë 05.01.2022 janë testuar 34 mostra pozitive në SARS-CoV-2, prej të cilave ishin 24 (70.5%) me variantin Omicron”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.
IKSHPK ndërkaq ka pranuar edhe rezultatin e mostrave të dërguara në Gjermani më 20 dhjetor. Mostrat e mbledhura në gjysmën e parë të dhjetorit kanë rezultuar të gjitha me variantin Delta.
“Nga 23 mostra te sekuencuara ne menyre te suksesshme nga mostrat e derguara me 20 dhjetor 2021, 20 prej tyre janë të variantit Delta B.1.617.2-like, dy prej tyre Delta AY.4-like dhe një mostër Delta AY.4.2-like. Mostrat e dërguara kanë qenë mostra pozitive te periudhës së gjysmës së parë të dhjetorit të vitit 2021”, kanë deklaruar nga IKSHPK. /Gazeta Shneta/