Kërkesat e sindikalistëve shëndetësorë për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave, kanë gjetur përkrahje nga partitë opozitare.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Besa Baftiu, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Shëndetësi, thotë se kërkesat e sindikalistëve janë të arsyeshme, shkruan Gazeta Shneta.
“Kërkesat e sindikalistëve të shëndetësisë janë të drejta. Duhet të përmirësohen kushtet dhe siguria në punë si dhe të ketë rritje të pagave”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e VV-së thotë se ende nuk e kanë parë projektligjin e ri për pagat, por thotë se do t’i kenë parasysh kërkesat e punëtorëve shëndetësorë.
“Projektligji siç e dini është tërhequr nga Qeveria dhe ne ende nuk e kemi parë. Sigurisht se do ta shqyrtojmë si Komision por edhe si Grup Parlamentar dhe do t’i kemi parasyshë të gjitha kërkesat”, ka shtuar ajo.
Ditë më parë pro kërkesave të sindikalistëve është shprehur edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, duke shprehur përkrahje edhe për protestat. /Gazeta Shneta/