Organi i Shqyrtimit të Prokurimit Publik ka marr vendim që t’i kthej në rivlerësim Lot 1 dhe Lot 3 të tenderit për furnizim me insulina në Ministrinë e Shëndetësisë. Ky vendim i OSHP-së shkon në favor të kompanisë “Pharma Leader” e cila ka ofertuar me produkte të cilat nuk kanë Autorizim Marketing.
OSHP e ka aprovuar si të bazuar ankesën e kompanisë “Pharma Leader LLC” të datës 26 gusht 2022 për procedurën “Furnizim me Insulina analoge nga Lista Esenciale” Lot 1 dhe Lot 3. Me këtë vendim OSHP poashtu ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të anulohet vendimi për anulimin e aktivitetit, si dhe të rikthej procedurën në rivlerësim, shkruan Gazeta Shneta.
Me këtë vendim OSHP i ka hapur rrugë edhe për një mundësi kompanisë “Pharma Leader”, e cila kishte ofertuar me produkt pa Autorizim Marketing.
Historia e këtij tenderi daton që nga viti 2020 kur MSH fillimisht e kishte shpërblyer kompaninë “Pharma Leader” me këto llote, ndërkaq pas ankesës së kompanisë “Meditech”, kjo e fundit kishte fituar tre llotet e tenderit për furinizim me insulina.
Përveç Lot 2, dy llotet tjera kanë qenë çështje e ankesave të të dy kompanive që prej asaj kohe. Ministria e Shëndetësisë në vendimin e fundit të datës 12 gusht kishte anuluar Lot 1 dhe Lot 3 në tërësi, me arsyetimin se çmimet e ofertuara në fillim të procedurës ishin më të shtrenjta sesa janë aktualisht çmimet e këtyre produkteve. Dallimi në total i këtyre dy lloteve kapte shumën prej mbi 160 mijë euro.
Por këtë vendim tanimë e ka anuluar OSHP e cila ka kërkuar që procedura të kthehet në rivlerësim duke aprovuar ankesën e kompanisë “Pharma Leader”, teksa ka hedhur poshtë ankesën e kompanisë “Meditech” si e palejuar për shqyrtim.
Në këtë vendim OSHP poashtu e ka gjobitur Ministrinë e Shëndetësisë me 5 mijë euro “për shkak të mosrespektimit të vendimit të OSHP të datës 25.03.2021”, si dhe ka iniciuar procedurën për revokimin e certifikatës së prokurimit kundër zyrtarit përgjegjës të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, “për shkak të shkeljeve të dispozitës së nenit 25, paragrafi 8 të LPP”.
Pretendimet e palëve dhe vlerësimi i ekspertit shqyrtues
Përfaqësuesit e kompanisë “Pharma Leader” kanë pretenduar se kanë prezantuar ofertë të përgjegjshme dhe çmim më të lirë për 400 mijë euro. Sipas tyre, Ministria e Shëndetësisë nuk e ka përfillur vendimin e OSHP-së dhe përveç tjerash ka nënshkruar marrëveshje me UNOPS për furnizim me insulina analoge duke udhëzuar që të përjashtojë aplikimin e Udhëzimit Administrativ 02/2014 i cili iu mundëson kompanive që të ofertojnë me produkte që nuk kanë Autorizim Marketing dhe paralele të regjistruar në Kosovë.
“Pharma Leader” ka pretenduar se me eliminimin e këtij UA, është eliminuar edhe konkurrenca në dobi të një operatori tjetër dhe si rrjedhojë produktet janë blerë me çmime më të shtrenjta.
Por në anën tjetër nga “Meditech SHPK” kanë deklaruar se kërkesa e kompanisë “Pharma Leader” për të shitur barna të paregjistruara në Kosovë “është kërcënim për jetën dhe shëndetin publik”. Poashtu miratimi i kësaj ankese do të shkaktonte precedent edhe për 3628 barna të tjera të cilat janë të regjistruara sipas ligjeve në Kosovë.
Nga “Meditech” poashtu kanë deklaruar se AM është si “pasaportë e produktit, pasi që përcakton kontrollin e kualitetit, origjinën e tij, zinxhirin e ruajtjes dhe kujdesit nga prodhuesi deri tek pacienti”, thuhet në vendim.
Sipas përfaqësuesve të “Meditech”, “i vetmi rast kur një produkt mund të importohet pa Autorizim Marketing është kur importi bëhet për nevoja personale siç është përcaktuar shprehimisht në nenin 12 të Ligjit të cituar”, duke aluduar në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
“Në rast se ju si panel shqyrtues lejoni importimin dhe plasimin e produkteve pa Autorizim Marketing, gjithashtu kjo do i thoshte 3628 barnave të regjistruar nga të gjithë prodhuesit tjerë se nuk është e nevojshme të regjistrohen produkte të tilla”, kanë deklaruar nga “Meditech”.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë sqaruar se kriteri për aplikimin e UA 02/2014 është i formuluar standard në të gjitha aktivitetet e barnave të Listës Esenciale “dhe nuk ka dhënë alternativë ‘kjo ose kjo’ por me përjashtim të këtij rasti çdo është kuptuar që kërkohet si primare AM, nëse nuk ka AM është dhënë mundësia me UA 02/2014”.
Nga MSH poashtu kanë deklaruar se anulimi i procedurës është vendim i drejtë, në të kundërtën do të ketë ndikim direkt në sigurinë e sistemit të furnizimit me insulina për mbi 15 mijë diabetik.
Sipas ekspertit shqyrtues Ministria e Shëndetësisë nuk i ka plotësuar kushtet e parapara me dispozitat e Nenit 62 të LPP-së kur e ka marr vendimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit.
Edhe Paneli Shqyrtues e ka arsyetuar vendimin duke thënë se anulimi i procedurës nga MSH është bërë në kundërshtim me dispozitat e LPP-së.
Vendimin e plotë të OSHP-së e gjeni në këtë vegzë: 397-409-22 vendim/Gazeta Shneta/