Ministria e Shëndetësisë ka anuluar dy lote të tenderit të shpallur vitin e kaluar për furnizim me insulina, për shkak të çmimet e ofertuara më 2021 janë më të shtrenjta sesa këtë vit.
MSH për këto dy lote kishte shpallur fituese kompaninë “Meditech”, për Lot 1 në vlerë 1,144,726.72 Euro dhe Lot 3 në vlerë 4,456,908,24 Euro, shkruan Gazeta Shneta.
Por me një vendim të datës 12 gusht, MSH ka anuluar këto lote me arsyetimin se “Meditech” i ka shitur MSH-së këtë vit insulina me çmim më të lirë sesa kishte ofertuar vitin e kaluar.
“Oferta e operatorit ekonomik të rekomanduar për kontratë në vitin 2021 për LOT 1 të këtij aktiviteti ka qenë me çmim për njësi 4.36 Euro, ndërsa kontrata e fundit e MSH-së me datë 25.05.2022 për të njëjtin produkt me të njëjtin OE ka qenë 4.25 Euro”, thuhet në vendim.
Në vendim bëhet e ditur poashtu se edhe çmimi për Lot 3 me të njëjtin operator ka qenë më i lirë sivjet për 14 cent sesa oferta e vitit të kaluar. Dallimi në total i këtyre dy lloteve ka kapur shumën prej mbi 160 mijë euro.
Për këtë vendim MSH e ka njoftuar edhe kompaninë “Meditech”, por është një operator tjetër i cili është ankuar. “Pharma Leader” ka deponuar një ankesë në Organin e Shqyrtimit Publik, për çka e ka shtyrë MSH-në që të pezullojë anulimin e dy loteve.
MSH ka bërë të ditur se për shkak të ankesës së “Pharma Leader” ka marr vendim “Mbi pezullimin e aktivitetit të prokurimit”, respektivisht Vendimin e datës 12 gusht 2022.
“Pharma Leader” kishte ofertuar me çmim më të ulët sesa “Meditech” vitin e kaluar për këto dy lote. Kjo kompani kishte ofertuar për Lot 1 me çmim total prej 1,097,467,36 Euro, ndërsa për Lot 3 me 4,109,006,12 Euro. “Pharma Leader” ishte eliminuar me arsyetimin se nuk ka autorizim marketing për produktet e ofertuara.
Për këtë shkak “Pharma Leader” ishte ankuar në OSHP duke pretenduar se MSH po e favorizon kompaninë “Meditech” duke kërkuar vetëm autorizim marketing dhe duke mos lejuar që të ofertohet edhe sipas Udhëzimin Administrativ 02/2014 Për thjeshtimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale të cilat nuk kanë paralele të regjistruara në Republikën e Kosovës. Por këtë ankesë OSHP e ka hedhur poshtë si të pasafatshme. /Gazeta Shneta/