OSHP ka marr një vendim për mbylljen e procedurës për tenderin 720 mijë eurosh në MSh, por nuk ka nxjerr asnjë konstatim përveçse i ka hapur rrugë operatorit që t’i drejtohet gjykatës. Nga MSh e kanë quajtur këtë vendim si të paligjshëm dhe të njëjtit kanë deklaruar se do ta padisin OShP-në në gjykatë.
Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik që ndryshe njihet si “gjykata e tenderëve” nuk e ka çuar deri në fund autoritetin e vet në rastin e tenderit 720 mijë eurosh me titull “Mirëmbajtja e 70% të HW të SISH-it për Institucionet Shëndetësore” në Ministrinë e Shëndetësisë, shkruan Gazeta Shneta.
Për këtë rast OShP ka marr vendim duke e mbyllur procedurën por duke mos konstatuar asgjë, as në favor të Autoritetit Kontraktues në këtë rast MSh-së, dhe as operatorit ekonomik “Infosoft System”. Megjithatë këtij të fundit, OShP i ka rekomanduar që rastin mund ta çojë në gjykatë. Por në këtë pikë është përdorur një formulim i çuditshëm i fjalisë.
“Ankuesi lidhur me këto veprime të AK rreth anulimit aktivitetit te prokurimit ne kundërshtim me ligjin, mund ti drejtohet Gjykates kompetente per mbrojten e te drejtave te tij/saj”, thuhet në pikën 2 të vendimit.
Në arsyetimin e vendimit të këtij organi, eksperti shqyrtues ka rekomanduar refuzimin e ankesës dhe lënien në fuqi të vendimit të MSh-së.
“Te mbetet në fuqi vendimi i Autoritetit Kontraktues”, thuhet në pikën dy të rekomandimit të ekspertit shqyrtues.
Gazeta e ka pyetur OShP-në për këtë vendim dhe pse nuk e ka ushtruar autoritetin e saj në favor të njërës palë. Nga ky institucion nuk kanë dhënë shumë sqarime, por vetëm kanë deklaruar se çështja është vlerësuar e përfunduar pasi janë marrë në konsideratë të gjitha pohimet.
“Organi shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ju njofton, se Paneli shqyrtues bazuar ne nenin 10 të LPP-së, lidhur me nenin 42.4 i RRPP nr. 001/2022, ka vlerësuar se kjo çështje është përfunduar dhe rrjedhimisht vendosi si në pikën 1 të dispozitivit të vendimit OSHP: 2023/0629. OSHP ju sqaron se, Paneli Shqyrtues mori në konsideratë të gjitha pohimet e ankuesit, aktet dhe veprimet e ndërmarra nga AK, raportin e ekspertit shqyrtues, të gjitha shkresat e kësaj lënde dhe konsideron se shqyrtimi i kësaj ankesë bie jashtë autorizimeve të përcaktuara ligjore sikurse është precizuar kjo në arsyetimin e vendimit të cituar si më sipër”, thuhet në përgjigjen e OShP-së.
Nga MSh këtë vendim të OShP-së e kanë quajtur në kundërshtim me Ligjin e Procedurës së Përgjithshme Administrative dhe Ligjin e Prokurimit Publik.
“Vet arsyeja e ekzistencës së OShP-së si organ epror në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve të autoriteteve kontraktuese, është që të jap përgjigje në pretendimet ankimore. Në rastin konkret, vendimi i OShP-së nuk ka konstatime të qarta, nëse një ZKA ka të drejtë të refuzoj nënshkrimin e kontratave të cilat i konsideron si të dëmshme dhe të paligjshme”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Nga kjo ministri kanë thënë se para se ZKA të refuzoj nënshkrimin e kontratës, ka pasur një proces të konsultimeve me stafin e brendshëm, ekspertët dhe Bankën Botërore. Poashtu ishte kërkuar edhe opinion nga Komisioni Rregullativ të Prokurimit Publik.
“Vet ekspertiza e OShP-së i kishte dhënë të drejtë Ministrisë së Shëndetësisë, prandaj edhe vendimi i panelit, përveç se i paligjshëm, është edhe i paarsyeshëm, kjo për shkak se në rastet kur OShP konsideron se ka shkelje ligjore, i anulon vendimet e autoriteteve kontraktuese dhe kërkon rivlerësimin apo ritenderimin e aktivitetit të prokurimit. Në këtë rast ka marrë një vendim të paprecedent për përfundimin e procedurës administrative dhe ka udhëzuar operatorin t’i drejtohet gjykatës, që do të thotë se ka adikuar sa i përket vendimmarrjes”, kanë deklaruar nga MSh.
Nga ministria kanë deklaruar se janë në proces të hartimit të padisë ndaj këtij vendimi në Gjykatën Themelore. “Kjo pasi që, MSh konsideron se edhe ky vendim i OSHP-së është në kundërshtim me ligjin dhe se krijon një precedent të rrezikshëm i cili do të betononte keqpërdorimet e zyrtarëve në procedura të prokurimit publik”, thuhet në sqarimet e MSh-së.
Tutje është shtuar se Sekretari i MSh-së Naim Bardiqi e ka denoncuar këtë kontratë në Prokurori, dhe sipas tyre tanimë kanë filluar edhe hetime e para. “Duhet rikujtuar se për rastin e kësaj kontrate, Sekretari ka denoncuar rastin në Prokurori dhe sipas informatave, Policia ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të para hetimore”.
Sipas kësaj ministrie vendimi i OShP-së përveç se i paligjshëm, krijon edhe një precedent të rrezikshëm për të nënshkruar kontrata të dëmshme.
Ata thonë se konstatimi i shkeljeve në këtë procedurë tenderuese është konfirmuar pas vlerësimit të ekspertit të angazhuar nga Banka Botërore “i cili ka konstatuar se kriteret ishin ngushtuar panevojshëm, në atë mënyrë që kanë ngushtuar konkurrencën ndër operatorë”.
Ministria e Shëndetësisë në gusht të këtij viti e ka anuluar tenderin në vlerë 716 mijë euro për mirëmbajtjen e pajisjeve të Sistemit Informativ Shëndetësor, i cili iu dha kompanisë “Infosoft Systems” në fund të qershorit të këtij viti.
Gazeta Shneta ka raportuar për këtë tender me titull ““Mirëmbajtja e 70% te HW te SISH-it për Institucionet Shëndetësore”, i cili ishte iniciuar për mirëmbajtjen e pajisjeve të quajtura “Zero Client” të cilat përdoren për regjistrimin e pacientëve në SISH.
Kompjuterët “Zero Client” janë blerë nga MSH përmes një tenderi në vitin 2018 nga kompania “Infosoft Systems” në vlerë rreth 4.6 milionë euro, ndërsa ishin dorëzuar në një depo të QKUK-së në fillim të vitit 2020 ku qëndruan për gati tre vite, aq sa kishin edhe garancion.
Tenderi për mirëmbajtje i cili u anulua nga Ministria e Shëndetësisë, ishte për mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve të cilat sa ishin në garancion nga kompania që i shiti nuk u përdorën asnjëherë.
Sipas Njoftimit për anulimin e tenderit, vendimi është marr me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm të MSH-së Naim Bardiqi, i cili ka refuzuar nënshkrimin e kontratës.
“Anulimi i aktivitetit është kërkuar me shkrim nga ZKA-Sekretari i Përgjithshem, pas shqyrtimit te lendes ne fazën para nënshkrimit te kontratës. Ne bazë te kërkesës se ZKA, është dhene ekspertizë nga ekspertë te Bankës Botërore ne Kosovë dhe bazuar ne gjetjet e tyre, Sekretari i Përgjithshem ka refuzuar nënshkrimin e kontratës dhe ka kërkuar nga ZPP ritenderimin e këtij aktiviteti”, thuhet në njoftim.
Për më tepër, sipas njoftimit bëhet e ditur se ekspertiza e Bankës Botërore për këtë tender ka rezultuar se janë vendosur kritere të panevojshme kufizuese duke kufizuar kështu edhe konkurrencën e operatorëve ekonomik.
“Bazuar ne ekspertizën e BB, nga ZKA është konstatuar se disa kërkesa kanë qenë ne mënyrë te panevojshme kufizuese, duke marrë parasysh edhe faktin se kemi pranuar vetem një ofertues, nderkohë qe ka pasur shumë OE qe e kanë shkarkuar Dosjen e tenderit ne eprokurim. Sqarim shtesë ToR dhe kriteret teknike profesionale per këtë aktivitet janë hartuar nga një komision i angazhuar me vendim per këtë projekt. Aktiviteti është tenderuar ne bazë te specifikave dhe kritereve te kërkuara nga Njësia e kërkesës, duke mos ndryshuar asnjë kriter, meqenëse aktiviteti është i natyrës profesionale. AK-MSh gjatë ritenderimit te këtij AP, do ti rishikoj kërkesat e tenderit, ne mënyrë qe te rritet konkurenca dhe mos te ketë kufizime”, thuhet në njoftimin për anulimin e aktivitetit.
Për mos përdorimin e këtyre pajisjeve Gazeta Shneta ka raportuar fillimisht në maj të vitit të kaluar kur u zbulua se kompjuterët “Zero Client” ishin lënë në depo të QKUK-së pa u përdorur asnjëherë. Një vit më vonë, në qershor të këtij viti MSH vendosi që ta shpërblejë kompaninë e njëjtë për mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve me tenderin në vlerë 716 mijë Euro.
Kompania “Infosoft Systems”, gjysma e së cilës është në pronësi të kompanisë nga Shqipëria “Investment Joti Infosoft Group” nuk i është përgjigjur Gazetës asnjëherë në pyetjet për këto pajisje. /Gazeta Shneta/




