Oğuz Peker, një nga pacientët e parë me Covid-19 të Turqisë, u shërua më shumë se pesë muaj pasi u sëmurë me këtë sëmundje infektive, duke u dhënë shpresë pacientëve të tjerë dhe besim profesionistëve të kujdesit shëndetësor.
Biznesmeni shtatëdhjetë e tre vjeç Oğuz Peker mposhti koronavirusin dhe u lirua nga spitali pas pesë muajve e gjysmë pasi ishte shtruar me gjendje të përkeqësuar, shkruan Daily Sabah përcjell Gazeta Shneta.
‘Pse të gjithë kanë maskë?’ ishte pyetja e tij e parë ndërsa dilte nga njësitë e kujdesit intensiv katër muaj pasi u diagnostikua me Covid-19.
Biznesmeni Peker, i cili humbi ndjenjat, mendoi se ishte përfshirë në një aksident trafiku kur u gjend në kujdesin intensiv në një spital të Stambollit.
Ai tani po përpiqet të përshtatet me një Turqi të re, ku të gjithë janë të detyruar të mbajnë maska dhe mjekët që e kthyen atë përsëri në shëndetin e mirë ishin të gjithë me kostume mbrojtëse kokë e këmbë.
Thuhet se Peker ishte një njeri relativisht i shëndetshëm pavarësisht moshës së tij dhe sapo kishte bërë një kontroll të plotë mjekësore marsin e kaluar.
Problemi i tij i vetëm ishte fillimi i një rasti të lehtë të sëmundjes pulmonare obstruktive kronike.
E pastaj ai kishte pësuar dështime të shumëfishta të organeve dhe mjekët duhet të bënin një trakeostomi për ta ndihmuar të merrte frymë.
Mjekët e quajnë atë “një të mbijetuar të vërtetë”, ndërsa Peker thotë se ai është i hutuar për këtë “botë të re”.
Ai ende nuk mund të besojë se ishte infektuar me Covid-19. “Unë jam mirënjohës të gjithë stafit të spitalit që më kthyen në jetë duke punuar ditë e natë për muaj të tërë,” thotë ai.
Profesori Lütfi Telci, shefi i urgjencës në spitalin Acıbadem ku u trajtua Peker, thotë se ata janë të lumtur të ndihmojnë shërimin e Peker.
“Ai u pranua këtu në ditët e para të pandemisë dhe kjo ishte një kohë kur protokollet e trajtimit po ndryshonin pothuajse çdo ditë. Për shembull, ai ishte një nga pacientët e parë në Turqi që iu nënshtrua terapisë plazmatike. Çdo ditë e tij këtu ishte problematike, nga dështimet e organeve deri te shoku septik, por gjithsesi ekipi ynë arriti ta ndihmonte. Nuk mund ta përshkruaj sa të lumtur jemi që e lëshuam nga spitali,” tha ai. /Gazeta Shneta/