Problemet kronike me gjumin po studiohen gjithnjë e më shumë si një faktor i mundshëm rreziku për sëmundje serioze, përfshirë edhe kancerin te personat nën moshën 50 vjeç.
Sipas dy studimeve të reja, pagjumësia dhe çrregullimet e ritmit të gjumit mund të kenë pasoja shumë më të thella sesa lodhja e përditshme apo mungesa e përqendrimit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit po analizojnë lidhjen e mundshme mes gjumit të pamjaftueshëm dhe rritjes së incidencës së disa llojeve të kancerit në moshë të re.
Shkencëtarët theksojnë se mungesa kronike e gjumit mund të ndikojë negativisht në funksionimin e sistemit imunitar, duke e dobësuar aftësinë e organizmit për të identifikuar dhe eliminuar qelizat anormale. Po ashtu, ajo mund të rrisë proceset inflamatore në trup dhe të ndërhyjë në mekanizmat natyrorë të riparimit të ADN-së, të cilët janë thelbësorë për parandalimin e mutacioneve që mund të çojnë në zhvillimin e tumoreve.
Një tjetër aspekt që po hetohet është ndikimi i ndërprerjes së ritmit cirkadian “ora biologjike” e trupit e cila rregullon shumë funksione jetësore, përfshirë ndarjen e qelizave dhe balancën hormonale. Sipas studiuesve, çrregullimi i këtij ritmi mund të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e qelizave kancerogjene.
Ekspertët theksojnë se këto gjetje nuk nënkuptojnë që pagjumësia shkakton drejtpërdrejt kancer, por sugjerojnë një lidhje të mundshme që kërkon studime të mëtejshme. Megjithatë, ata rekomandojnë që gjumi cilësor të konsiderohet një komponent thelbësor i parandalimit të sëmundjeve kronike, krahas ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit fizik. /Gazeta Shneta/


